Vendimet e mëdha po i bllokon Kadri Veseli dhe të tjerët që duan rrëzimin e institucioneve të shtetit

14.04.2017 15:12:15

Nga Rexhep Kastrati

Kadri Veseli për herë të dytë ka dhënë një si lloj ultimatumi se nëse nuk mund të merren vendimet e mëdha, nuk ka pse vazhdohet kështu më tej. Dhe ky farë ultimatumi u dha vetëm një ditë pas ardhjes së John McCain dhe Sigmar Gabriel në Kosovë dhe vetëm një ditë pas alarmit për sulme terroriste në Kosovë. Dhe do të mjaftonte kjo për të kuptuar se ky lloj ultimatumi është paramenduar dhe i planifikuar më parë, mbase edhe i nxitur edhe nga dekonspirimi i këtyre skenarëve për sulme terroriste.

Mirëpo, ky do të ishte vetëm shpjegimi i thjeshtësuar i këtij farë ultimatumi, kurse shpjegimi plotë nënkupton edhe angazhimin e vazhdueshëm që nga themelimi i koalicionit aktual për ta rrëzuar Qeverinë, e që në fund të vitit të kaluar u bë i qartë edhe deklarativisht se është një qëllim i bashkërenduar me Serbinë, ashtu si çështja e nismës ligjore për FSK-në, e që përfshin edhe angazhimet agjenturore në këtë drejtim, në funksion të të cilave janë edhe sulmet eventuale terroriste.

Kur jemi këtu, duhet thënë se në fund të vitit të kaluar ka pasur një shpërfaqje të plot dhe gati të njëkohshme të qëllimit për rrëzimin e Qeverisë nga Kadri Veseli, nga Aleksandër Vulin, nga sekta okulte e Albinit dhe nga partitë tjera opozitare, nga Baton Haxhiu, nga Rusia etj., duke e bërë kështu të qartë se gjithçka ishte dhe është skenar serbo-rus për destabilizimin e vendit dhe për përmbysjen e shtetit.

Edhe në kontekstin aktual, vetëm pak ditë më parë, jarani i Kadri ultimatumit, Berati pasi i bëri një apologji të plotë Kadri Veselit, duke e nxjerrë diamant fare, nuk la gjë pa thënë kundër LDK-së, kundër kryeministrit Mustafa dhe sikur e përgjëroi Kadriun që të prishte koalicionin, duke dëshmuar kështu se edhe ky farë ultimatumi nuk ka dalur hapansëz, por i planifikuar që më parë.

Argumenti i mosmarrjes së vendimeve të mëdha, për të mos vazhduar më kështu, në fakt është argument që zbërthen edhe më tej pikërisht angazhimet e përbashkëta më regji të Beogradit dhe të Moskës për të rrëzuar Qeverinë dhe për ta përmbysur shtetin, sepse këto vendime nuk varen tashmë nga Qeveria, por nga kuvendarët e Kuvendit të Kosovës, përkatësisht nga PDK dhe nga veglat kondomë brenda e rreth LDK-së që janë të njohur për qëndrime të kundërta me ato të LDK-së dhe në përputhje me interesat e partive të tjera. Dhe te këto vegla kondomë brenda e rreth LDK-së ndikim ka Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Albin Kurti, e jo kryeministri Mustafa. Mund të përmenden lidhjet e të gjithë kuvendarëve të LDK-së që nuk e kanë votuar kryetarin e LDK-së për kryeministër, dhe që janë angazhuar dhe angazhohen kundër vendimeve të LDK-së, me Hashim Thaçin, me Kadri Veselin, me Ramush Haradinajn, me Albin Kurtin etj., dhe të bëhet edhe më e qartë skema për pnegimin dhe bllokimin e vendimmarrjeve të mëdha.

Edhe vetë brenda PDK-së nuk ka një konsensus për çështjen e vendimeve të mëdha, sepse edhe brenda saj janë disa kuvendarë që bien ndesh me vendimet e mëdha që duhet të merren. Mund të jetë edhe taktizim i Kadri ultimatumit në kuadër të strategjisë për rrëzimin e institucioneve, por mund të jetë edhe  çështje e luftës së brendshme në PDK, e që mund të ketë bazën te frika nga Gjykata speciale, por pavarësisht nga të gjitha këto, Kadri Veseli duhet t’i japë ultimatum vetes, partisë së tij dhe veglave të tij në LDK që të votojnë pro vendimeve të mëdha.

Nëse lexohet drejt përgjërimi i Berat Buzhalës dhe hakërrimi ndaj LDK-së, por edhe ndaj Hashm Thaçit, mund të kuptohet qartë se sa rëndë është përjetuar dhe përjetohet fakti se Qeverinë e drejton LDK dhe kryeministri Mustafa, por edhe elemente të luftës së brendshme në PDK, e që tregon qartësisht se vendimet e mëdha janë peng i frustrimit që ka shkaktuar brenda PDK-së fakti se nuk e drejton Qeverinë, si dhe hallakama që është brenda saj qoftë për këtë, qoftë për Gjykatën speciale.