Versioni i Cvetkoviqit, a është version për të devalvuar vrasjen e Oliver Ivanoviqit në nivel të një vrasjeje ordinere?

03.02.2018 14:26:36

Nga Rexhep Kastrati

Gazetari serb, Stevan Cvetkoviq ka paraqitur versionin e tij për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Ai madje ka treguar edhe fotografi të personave që, sipas tij, kanë të bëjnë me vrasjen e Ivanoviqit, ku dallohet edhe një person i uniformuar me uniformë të policisë së Kosovës.

Sipas gazetarit Cvetkoviq, i cili thotë se bashkë me gazetarë shqiptarë të Kosovës kanë kryer një hulumtim, duke i parë edhe kamerat private të sigurisë, dhe ka ardhur në përfundim se në vrasjen e Oliver Ivanoviqit nuk kishin dorë as institucionet e Serbisë, e as të Kosovës, por ishte thjesht një vrasje kriminale për 40 mijë euro.

Mirëpo, në këto që thotë Cvetkoviq, janë dy çështje që kërkojnë sqarime të plota: 1. Nëse vrasja e Oliver Ivanoviqit paskësh qenë një vrasje kriminale për 40 euro, atëherë kush ka qenë i intertesuar që ta vriste Ivanoviqin? Kjo pyetje bëhet edhe më e rëndësishme kur dihet se edhe grupet kriminale serbe, edhe ato shqiptare, e që në të shumtën e rasteve veprojnë edhe bashkarisht, kryesisht i ka në dorë BIA serbe dhe agjensi të tjera spiunazhi. Vallë të ketë mundësi që dikush nga këto grupe të ketë pasur interes që ta vriste Ivanoviqin pa pasur ndonjë nxitje nga agjentura të ndryshme? Pse duhej ta vrisnin Ivanoviqin? Cilit grup, apo cilit boss mafioz ia kishte prishur hesapet Oliver Ivanoviqi?; 2. Fotografia ku shihet një person i uniformuar me uniformë të policisë së Kosovës, është një tjetër fakt që ngre dyshime se versioni që jep Cvetkoviq, mund të mos jetë i vërtetë, pasi që ky person që shihet mund të jetë polic, ose person me lidhje të forta në policinë e Kosovës. Në anën tjetër, duke pasur parasysh se policët serbë të Kosovës, sidomos ata të veriut kryesisht janë kontigjente të bartjes së strukurave serbe në policinë e Kosovës, atëherë bëhet edhe më e qartë se kjo fotografi kërkon shpjegim edhe më të saktë dhe më të plotë.

Versioni që jep Cvetkoviq, ndërkaq, vjen pas një retorike fillimisht agresive të zyrtarëve serbë të Serbisë, me cilësime të vrasjes së Ivanoviqit si vrasje politike, dhe madje pas kërcënimeve se mund të ketë edhe depërtimit të forcave serbe për mbrojtjen e serbëve të veriut etj. Mirëpo, ky version vjen edhe pas të gjitha indicieve dhe bindjeve se Oliver Ivanoviqin e kanë vrarë serbët.

A është ky version si mënyrë për ta devalvuar vrasjen e Oliver Ivanoviqit në nivel të një vrasjeje ordinere,e nxitur dhe e paguar nga ndonjë kriminel ordiner, me qëllim që të mos hapen çështjet dhe motivet e vërteta të vrasjes në fjalë e që mund të kenë të bëjnë me plane, skenarë dhe mënyra të sofistifikuara dhe shumë sekrete serbe për destabilizimin e Kosovës edhe nëpërmjet strukurave mafiozo-politike shqiptare? A po synohet që me versione të tilla si i Cvetkoviqit, të largohet vëmendja e opinionit për mundësinë që Oliver Ivanoviq gjithë ato plane, skenarë dhe mënyra t’ua ketë përcjellë qarqeve të ndryshme ndërkombëtare, edhe për sigurinë e një imuniteti dhe mbrojtjeje personale dhe të familjes së tij, edhe si hakmarrje për mënjanimin e tij nga Serbia? Po ashtu, a ka zbardhur Oliver Ivanoviqi edhe lidhjet e strukurave mafiozo-politike shqiptare me strukura mafiozo-politike serbe para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë?

Kush tjetër mund të ketë qenë i interesuar për vrasjen e Oliver Ivanoqiviqit?

Kush tjetër mund të ketë qenë i interesuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit?