Vlora Dumoshi kritika të ashpra “Vetëvendosjes”

23.08.2016 14:25:12

Vlora Dumoshi, shefja e stafit të Kryeministrisë, nëpërmjet një postimi në facebook, ka shprehur gëzimin pët hapjen e objektit të ri të bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në lagjen “Dardania”.

Znj. Dumoshi, po ashtu ka sjell në vëmendje edhe angazhimin e saj sa kohë ka qenë drejtoreshë e Drejtorisë komunale për Kulturë në kohën kur qeverinë komunale e drejtonte LDK, por edhe të bashkëpunëtorëve të saj për realizimin e këtij projekti.

Ajo, njëherësh, i bëri kritika të ashpra pushtetit aktual që zapton meritat e të tjerëve dhe nuk fton asambleistët e partisë më të madhe në Asamblenë komunale të Prishtinës – LDK.

Ky është postimi i plotë i Vlora Dumoshit:

Miq të dashur,

Fillimisht, shpreh gëzimin e madh që sot do të bëhet hapja e objektit të ri të Bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në lagjen “Dardania”, një projekt i nisur dhe i realizuar nga qeverisja e kaluar komunale në Prishtinë. 

I gëzohem në veçanti kësaj ngjarje, pasi që në cilësinë e drejtoreshës për Kulturë, së bashku me bashkëpunëtorët e mi, kemi punuar me përkushtim të veçantë për realizmin e këtij projekti shumë të vlefshëm për qytetarët e Prishtinës. 

Ndërkaq, drejtuesit aktual të Komunës së Prishtinës, sot kanë organizuar ceremoninë e hapjes së Bibliotekës së re, duke mos ftuar asamblistët e partisë më të madhe në Kuvendin Komunal, e as njerëzit që kanë dhënë kontribut të veçantë në realizmin e këtij projekti. 

Drejtuesit e Komunës, me këtë qasje joinstitucionale po dëshmojnë përpjekjen permanente për zaptim të meritave të huaja dhe për përfitime politike duke promovuar projektet nga qeverisja e kaluar.”