Vrasja e Enver Malokut fillim i izolimit medial të LDK-së dhe të Kosovës

11.01.2018 22:02:52

Nga Rexhep Kastrati

Qendra për Informim e Kosovës nën drejtimin e Enver Malokut ishte burimi kryesor informativ për qytetarët e Kosovës brenda saj dhe jashtë, por edhe burim referencial për agjensi kryesore informative në botë, për shkak të profesionalizmit të saj dhe për shkak të përkushtimit të atyre që 24 orë në ditë mblidhnin dhe plasonin informatat nga Kosova dhe për Kosovën.

I themeluar si burim zyrtar dhe si agjensi shtetërore për informimin e qytetarëve dhe të botës me lajme të sakta për Kosovën dhe zhvillimet dramatike këtu, në kushtet kur Serbia kishte vendosur një terr informativ me pushtimin e RTP-së dhe të “Rilindjes”.

Prandaj, edhe vrasja e Enver Malokut ishte edhe fillim i izolimit medial të Kosovës, sepse në këtë mënyrë ishte goditur zëri kryesor informativ i saj, i lëvizjes politike shqiptare që kish gjunjëzuar Serbinë edhe në aspektin medial, sikurse në aspektin politiko-diplomatik, pasi që ishte thyer monopoli serb me makinerinë propagandistike të saj.

Në fakt, këto ishin përpjekje për të vrarë lëvizjen politike shqiptare në krye me presidentin Rugova, e cila në aspektin medial ishte dukur që me vrasjen e Ali Ukajt dhe të Afrim Maliqit, kurse në aspektin politiko-ushtarak me vrasjen e ministrit Krasniqi dhe të shumë të tjerëve.

Është për të theksuar se zërin e vërtetë informativ të Kosovës nuk e kishte zbehur as gazeta e regjistruar më 1997 në Beograd, “Koha ditore” e Veton Surroit, e cila që nga fillimi ishte shpërfaqur si një gazetë që shpërfaqte konceptet neojugosllave dhe autonomiste të Veton Surroit.

A ishte vrasja e Enver Malokut si kusht që të dobësohej QIK-u dhe të merrte monopolin “Koha ditore”, nuk mund të thuhet me siguri, por ne që ishim gjallë edhe atëherë, e dimë se ishte kjo gazetë e një autonomisti që kishte monopol në depërtimin në zonat e luftës në Kosovë.

Më tepër se kjo, është interesant se Enver Maloku u vra vetëm 6 ditë pasi ishte mbushur një muaj nga themelimi i “Kosovës së lirë, dhe “Kosovapressit” që do të kenë rol të fortë në luftën speciale kundër presidentit Rugova, kundër linjës institucionaliste dhe kundër FARK-ut, dhe që në një farë mënyre përgatisnin opinionin për likuidimin e personaliteteve të LDK-së dhe të veprimtarëve të tjerë.

Koha e pasluftës do t’i nxjerrë radion “Kosova e lirë”, “Kosovapressin” dhe “Kohën ditore” si mediumet kryesore kundër presidentit Rugova dhe kundër LDK-së, duke hedhë dritë edhe në veprimtarinë diversive informative që do të reflektohet ndaj “Botës sot”, e cila në vitet e pasluftës do të arrijë të thyejë propagandën mediale kundër LDK-së dhe presidentit Rugova, derisa nuk ia futën hanxharin me vrasjen e Bekim Kastratit, bashkë me Besim Dajakun, përkatësisht derisa Gani Geci e Bajrush Morina nuk e rrënuan fare, duke shpërbërë gjithë grupin e gazetarëve, publicistëve dhe personaliteteve të tjera që shkruanin në atë gazetë, dhe që gradualisht do ta kthejnë në një nga gazetat tjera kundër LDK, e që arriti kulmin kur nëpërmjet saj kërkohej koka e kryetarit Mustafa dhe disa personaliteteve të tjera drejtuese të saj.

Që atëherë, LDK është në izolim të plotë medial, përkatësisht të ketë kundër gjithë mediet dhe portalet shqipfolëse dhe shqipshkruese, kurse vrasja e Enver Malokut ishte vetëm fillimi në përpjekjet e këtilla kundër LDK-së dhe Kosovës.