Vuçiq: Na duhet zgjidhje me Kosovën, nuk mund ta përballojmë ndonjë lufte të re

19.02.2020 13:47:23

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përsëri është deklaruar rreth arritjes së marrëveshjes me Kosovën.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar sot, se kur është fjala për Kosovën, atëherë duhet të bëjnë çmos që të arrihet një marrëveshje dhe të ulen e të bisedojnë pasi që siç u shpreh ai, shteti serb nuk do të mund t’i mbijetojë një lufteje të re.

I pyetur të komentojë deklaratën e Richard Grenellit, i dërguari special i presidentit amerikan, Donald Trump, se është lajm i rremë se SHBA-të kanë një plan për zgjidhjen e shpejtë të çështjes së Kosovës, Vuçiqi u përgjigj se, vazhdimisht kishte thënë se para së gjithash vetë duhet të bisedojmë.

“Kurdo që të ketë fuqi të mëdha perëndimore që ndërhyjnë, të gjithë do të kërkojnë gjysmën e Serbisë. Është detyra jonë t’i rezistojmë kësaj”, u përgjigj Vuçiq, raporton “B92”, transmeton lajmi.net.

Vuçiq po ashtu u pyet nga gazetarët se: “Nëse mund ta marrë me mend situatën tonë pa bisedime, në favor të mbijetesës së popullit në Kosovë, cila do të ishte alternativa?”.

“Vetëm lufta është një alternative dhe ne nuk do ta bëjmë, nuk e duam këtë”, deklaroi Vuçiq, duke shtuar se Serbia nuk ka nevojë për konflikte.

Sipas tij, është koha për politikë të mençur dhe jo për luftë, pasi që siç u shpreh Vuçiq, Serbia nuk është në gjendje që të përballojë ndonjë luftë të re.

“Neve na duhet dekada paqeje sepse kjo është mënyra e vetme që do të mund të kishim klinika të reja në të gjithë Serbinë. Ne nuk do ta mbijetonim në mënyrë organike. Pas luftërave ballkanike, Luftës së Parë e Dytë Botërore, luftërave të viteve të nëntëdhjeta,… këtë ne nuk mund ta përballojmë. Kemi nevojë për politikë të zgjuar”, theksoi Vuçiq, transmeton më tutje lajmi.net.

Tërë këto deklarata presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i bëri pas vizitës që kishte në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Beograd.