Washington Post: Luftëtarët e huaj të ISIS-it nuk duan të luftojnë, ja si arsyetohen 2

08.02.2017 22:35:58

Washington Post: Luftëtarët e huaj të ISIS-it nuk duan të luftojnë, ja si arsyetohen 2 kosovarë

Xhihadistët e huaj në radhët e ISIS-it, pas betejës për qytetin irakian, Mosul, për shkak të situatës pa rrugëdalje dhe humbjeve gjithnjë e më të mëdha, janë plotësisht të dëshpëruar.

Morali i tyre është në nivel shumë të ulët, shkruan “Washington Post”.

Kjo bazohet në dokumentin për 14 luftëtarët “problematik” të batalionit Tarik Bin Zajed, të cilin e përbëjnë kryesisht luftëtarë të huaj dhe të cilin (dokumentin) e kishin gjetur ushtarët irakianë në një lagje të Mosulit muajin e kaluar, transmeton lajmi.net.

Gazeta amerikane transmeton një sërë shembujsh që tregojnë se në mesin e luftëtarëve të huaj të ISIS-it mbretëron një rebelim i heshtur i motivuar nga frika për beteja të reja.

“Për dy luftëtarë nga Kosova, për shembull, thuhet se kanë refuzuar të shkojnë në front, duke u lutur që të zhvendosen në Siri. Si arsye ata kishin thënë se kanë dhimbje koke”, shkruan WP.

Një xhihadist belg i kishte një vërtetim të mjekut që për shkak të dhimbjeve në shpinë nuk mund të luftojë, derisa një francez thoshte se dëshiron të largohet nga Iraku në mënyrë që në vendin e vet të kryente sulm terrorist.

Shumica nga ata thuhet se kanë kërkuar që të dërgoheshin në Siri, kurse disa të tjerë kanë refuzuar që të luftojnë, transmeton lajmi.net.

“Nuk dëshiron që të luftojë, dëshiron të kthehet në Francë. Thotë se do të kryejë operacion të dhunshëm në Francë. Thotë se është i sëmurë”, thuhet në raporton për një 24 vjeçar nga Franca me prejardhje algjeriane.

Ai është njëri nga pesë luftëtarët e batalionit të lartpërmendur të cilët nga Iraku kanë arritur në Francë.

Dokumenti i gjetur, thekson gazeta, përmban të dhëna detaje me emrat e luftëtarëve, shtetet prej nga vijnë, shtetet prej nga e kanë prejardhjen, pastaj datën e lindjes e deri tek grupi i gjakut.

Gjithashtu, në dokumente theksohen edhe aftësitë e tyre për armët, numri i grave, fëmijëve apo “skllaveve” që i kanë.

Aty janë edhe fotografitë e tyre.

Sipas Washington Post, kjo në ndërkohë ka ndryshuar, kështu që nga 4000 luftëtarë të huaj nga rajoni i Evropës, një e treta e tyre është kthyer në shtëpi, kurse 14 për qind e tyre është konfirmuar se kanë vdekur. Në anën tjetër, për shumë nga ata nuk dihet se ku gjenden.