Xhemajlaj: Kam mbështetjen e gjithë opozitës në Drenas

05.12.2016 23:32:03

Nisma për Kosovën, ndonëse ka evidentuar disa parregullsi në procesin e votimit për kryetar të komunës së Drenasit, e pranon rezultatit e dhënë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Isa Xhemajlaj, Kandidat i NISMA-s për kryetar të Drenasit në një intervistë për emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel ka treguar disa prej parregullsive që kanë ndodhur gjatë ditës së zgjedhjeve.

Ai thotë se kishte presion të vazhdueshëm ndaj votuesve, por kishte edhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa qendra votimi.

“Disponomi i qytetarëve të Drenasit ka qenë që në këto zgjedhje të mos ketë fare balotazh dhe të fitoj Nisma, por presioni i vazhdueshëm i bërë nga qeveria e ndryshoj rezultatin”, ka thënë Xhemajlaj.

Ai në “Kontakt” ka deklaruar se i përfaqëson të gjithë ata njerëz të Drenasit që e duan ndryshimin në këtë komunë dhe dje sipas tij u tregua se 55 % e duan këtë ndryshim.

 “Shpresoj se ata qytetarë edhe në raundin e dytë, do ta mbajnë të njëjtin qëndrim”, ka thënë ai duke shtuar se ka raporte të mira me të gjithë kandidatët e partive opozitare dhe elektoratin e saj.

“Ende nuk kemi nisur komunikimet me përfaqësuesit e subjekteve politike opozitare sa i përket balotazhit, por brenda pak dite do të definohet çdo gjë”, ka deklaruar Xhemajlaj.

Ai ka thënë se votat e shumta për Xhavit Drenorin nuk ishin befasuese, pasi që ai qysh moti është shprehur për ndryshime në komunën e Drenasit./Tribuna/