Ymeri: E vetmja dorëheqje është ajo e Aida Dërgutit

11.12.2017 21:30:44

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, pas mbledhjes disa orëshe që ka mbajtur sot kryesia e kësaj partie me grupin parlamentar, ka njoftuar se e vetmja dorëheqje që është pranuar, është ajo e Aida Dërgutit, ndërsa ka akuzuar mediat, për siç tha ai “raportime të pavërteta”.

Pas mbledhjes së filluar në ora 14:00, Ymeri që shoqërohej nga deputeti Ismajl Kurteshi dhe kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, ka qenë i shkurtër për media, duke mos pranuar të përgjigjet në asnjë pyetje të gazetarëve, ka thënë se kryesia e dënon dhe e quan të pa pranueshme gjuhën e përdorur karshi figurave publike të LVV-së në rrjetet sociale.

“Në këtë mbledhje i diskutuam zhvillimet e fundit. Sa i përket organizatës së Lëvizjes Vetëvendosje. Në këtë mbledhje po ashtu kryesia dhe grupi parlamentar bashkë, e pranuan dorëheqjen e zonjës Aida Dërguti nga kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje dhe nga pozicioni i kryetares së qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Vushtrrisë. Kjo është dorëheqja e vetme që është dhënë nga kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje për kundër atyre që patë që janë raportuar në media, që nuk janë të vërteta”, ka thënë Ymeri.

Ai ka thënë se në mbledhje kanë diskutuar për këtë fundjavë, zhvillimet dhe raportimet në rrjetet sociale, ku siç tha ai kryesia e dënon dhe e quan të papranueshme gjuhën e përdorur karshi figurave publike të LVV-së.

“Kërkojmë nga të gjithë aktivistët e LVV-së dhe LVV që ta ndal këtë mënyrë të të shkruarit dhe përdorimin e kësaj gjuhe në rrjetet sociale ndaj figurave publike të LVV-së”, tha Ymeri duke mos u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve se a ka përçarje në Vetëvendosje.

Veç Ymerit asnjëri nga anëtarët tjerë të pranishëm në mbledhje nuk ka folur për media, e cila ishte duke u përcjell me një interes të shtuar, pas daljes në publik të bisedave në grupin e deputetëve të LVV-së, ku Aida Dërguti përdor gjuhë ofenduese ndaj ish-liderit të kësaj lëvizje, Albin Kurti