Zëdhënësi i LVV-së: Kriza humanitare po bëhet e pashmangshme, qeveria Hoti duhet të rrëzohet në dobi të interesit publik

06.08.2020 18:30:40

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu ka thënë se kriza humanitare po bëhet e pashmangshme, pasi për dy muaj siç tha ai “keqqeverisje dhe keqmenaxhim”, në Kosovë janë regjistruar 8740 raste totale me COVID-19, 2670 raste aktive dhe 270 vdekje.

Kryeziu përmes një postimi në Facebook, tha se derisa qeveria Kurti u rrëzua në dëm të interesit publik, qeveria Hoti duhet të rrëzohet për dobinë e interesit publik.

Ai tha se për tre muaj qeverisje sa kishte Qeveria Kurti, kishin arritur ta menaxhonin mirë pandeminë dhe vendi po shkonte drejt normalizimit.

“Përgjatë tre muajve të menaxhimit me pandeminë nga Qeveria Kurti, Kosova kishte të regjistruara 1142 raste total, 241 raste aktive dhe 30 vdekje. Pandemia po menaxhohej mirë, vendi po shkonte drejt rimëkëmbjes. Për dy muaj keqqeverisje dhe keqmenaxhim, Kosova ka të regjistruara 8740 raste totale, 2670 raste aktive dhe 270 vdekje. Kriza humanitare po bëhet e pashmangshme. Qeverinë Kurti e rrëzuan përkundër pandemisë e në dëm të interesit publik, kurse qeveria e Hotit duhet të rrëzohet pikërisht për shkak të pandemisë e në dobi të interesit publik”, shkruan Kryeziu.