Zëvendëskryeministri Kelmendi mori pjesë në ceremoninë e nisjes së ngarkesës së parë në tregun zviceran të birrës “Prishtina”

07.04.2017 14:28:52

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi, mori pjesë në ceremoninë e nisjes së ngarkesës së parë për në tregun zviceran të birrës “Prishtina”.
Fillimisht, zëvendëskryeministri Kelmendi, i shoqëruar nga pronari, Sheqer Ukaj dhe Astrit Panxha, drejtori Ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, kanë vizituar fabrikën “Birra Prishtina”, ku është njoftuar për punën e suksesshme që po bëhet.


Zëvendëskryeministri Kelmendi, e cilësoi këtë si një ditë të veçantë për Fabrikën “Birra Prishtina” , duke theksuar se me këtë po tregohen rezultatet që po i jep MSA-ja.
“Kjo tregon se kualiteti, cilësia dhe prodhimtaria e birrës është e nivelit të konsumit evropian. E përgëzoj kompaninë për këtë sukses, i cili po ashtu është sukses edhe i pakos së parë fiskale dhe Qeverisë së Kosovës”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.
Ai theksoi se pakoja e dytë fiskale do të jetë motiv shtesë, në mënyrë që prodhuesit e Kosovës të gjejnë mbështetje në tregun evropian.
Sheqer Ukaj, pronar i “Birra Prishtina”, tha se është ditë e veçantë që sot po niset ngarkesa e parë për eksport në tregun e Zvicrës.
“Kjo nënkupton se aktiviteti ynë ekonomik përveç tregut të Kosovës po shtrihet edhe jashtë kufijve dhe se kualiteti i birrës “Prishtina” është në nivelin e tregut jo vetëm vendor, por edhe të tregut evropian. Kjo është dëshmia e saktë se kualiteti dhe cilësia e produkteve të Kosovës dhe gjithë asaj që është “Made in Kosova” dita ditës po fiton besueshmëri dhe treg edhe jashtë vendit”, tha pronari Ukaj.
Astrit Panxha, Drejtori Ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, shprehu kënaqësinë që fabrika “Birra Prishtina” po nis eksportin e parë jashtë Kosovës.
“Birra Prishtina nuk është vetëm produkt i Kosovës, por është pjesë e kulturës sonë dhe kur i jepet mundësia qytetarëve zviceran të blejnë një birrë që prodhohet në Kosovë, ata ndoshta do të vendosin ta vizitojnë Prishtinë dhe ta shijojnë birrën në Prishtinë. Ky është një lajm i gëzueshëm dhe ne do të fokusohemi sidomos në shitjen e produkteve jashtë Kosovës”, tha Panxha.
Ai më tej tha se përveç mbulimit të prodhimit vendor, fokusi i Klubit të Prodhuesve të Kosovës është eksporti. “Ne jemi një vend i vogël me 1.8 milionë banorë me treg të limituar, ndërsa Evropa i ka 500 milionë banorë dhe nëse secili nga ata e pijnë nga një birrë “Prishtina”, atëherë fabrika e z. Sheqer Ukaj do të jetë një lojtar rajonal dhe jo vetëm i Kosovës”, tha Panxha.
Zëvendëskryeministri Kelmendi, vizitoi edhe Kompaninë e përpunimit të drurit “Elnor”, e cila po ashtu ka pronar z. Sheqer Ukaj.

Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës
Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës
Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës