Zgjedhjet lokale, në gjysmën e parë të tetorit?!

15.05.2017 15:43:52
Zgjedhjet lokale të mbahen në fillim të muajit tetor të këtij viti, ndërsa krerëve të komunave dhe këshillave komunale tu zgjatet mandati deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj,  ky është propozimi i  dal nga koordinimi i përfaqësuesve të partive politike me kryeparlamentarin Talat Xhaferi.

“Partitë u morën vesh se prioritet i jashtëzakonshëm për Republikën e Maqedonisë është arritja e marrëveshjes për miratimin e Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor me të cilin mbajtja e zgjedhjeve lokale do të parashihet në gjysmën e parë të muajit tetor, kurse mandati i kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve të vazhdohet deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të këshillave dhe kryetarëve të komunave”, njoftuan nga Kuvendi i R.M-së.

Ndërkohë në një kumtesë të përbashkët të krerëve të komunave dhe përfaqësuesve të partive politike, BDI, Aleanca për Shqiptarët dhe PDSH, mes tjera thuhet se në bazë të Kushtetutës krye parlamentarin Xhaferi duhet ta njoftojnë për formimin e grupeve parlamentare dhe se është arritur pajtueshmëri që në afat sa më të shkurtër të formohen trupat punuese që do të punojnë në ndryshimet e Kodit Zgjedhor.  Në takimin me kreun e Kuvendit nuk erdhën përfaqësuesit e VMRO – DPMNE-së për shkak se siç bënë të ditur, partia e Gruevskit nuk e njeh Talat Xhaferin si kryetar të  kuvendit.

“Talat Xhaferi në pozitën e kryetarit të parlamentit është zgjedhur në mënyrë jo legjitime. Grupi parlamentar i VMRO – DPMNE-së nuk e sheh të arsyeshme  të takohet me deputetin Talat Xhaferi”, thanë nga VMRO – DPMNE.

Ndërsa Ministria për Pushtet Lokal nga institucionet përkatëse, veçanërisht nga Kuvendi  kërkoi zgjidhje urgjente dhe vazhdim të mandatit të krerëve komunal deri në momentin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

“Nga dita e nesërme, kryetarët e komunave dhe këshillat si dhe Qyteti i Shkupit do të jenë pa një status të definuar ligjor, kurse qytetarët do të lihen në një paqartësi se a do të mund  t’i realizojnë të drejtat e tyre para organeve të njësisë për vetëqeverisje lokale, për procedurat që tashmë i kanë filluar apo kanë nevojë urgjente për ta. Nuk duhet që të lejohet që kriza politike të dëmtojë procesin e decentralizimit të pushtetit, për shkak se demokracia lokale është themeli mbi të cilin ndërtohet  kapaciteti demokratik i shtetit”, tha Shirete Elezi, Ministre e Pushtetit Lokal.

Nga LSDM kërkuan që kryetari i shtetit Gjorgje Ivanov urgjentisht të reagoj dhe të jep mandatin liderit socialdemokrat Zoran Zaev që ky i fundit menjëherë të filloj me formimin e qeverisë dhe se LSDM me shumicën parlamentare nuk do të lejojnë paralizimin e Maqedonisë.

Nga Lëvizja Besa për Alsat deklaruan se kjo parti është gatshme që në çdo moment të shkoj në zgjedhje lokale por fillimisht duhet të largohen pengesat për organimizimin e këtyre zgjedhjeve.