Zgjedhjet në Drenas reflektuan efektet e çarjeve të brendshme e të jashtme të PDK-së

04.12.2016 23:08:13

Nga Rexhep Kastrati

Drenasi konfirmoi edhe një herë se nuk është në gjendje të bëjë ndryshimin për të mirë. Sigurisht unë nuk kam patur iluzionin se në Drenas mund të fitonte LDK, pasi që kjo komunë, bashkë me Skënderajn kanë qenë bastionet më të fuqishme të PDK-së. Mirëpo, ajo që mund të nxirret si konkluzion, është fakti se në këtë komunë është reflektuar gjendja në të cilën është PDK dhe fraksionet e saj brenda apo jashtë saj. Përqindja e madhe e votave që mori Drenori si kandidat i pavarur, por që është një përfaqësues tjetër i PDK-së, dëshmon për shkallën e madhe të çarjeve brenda këtij subjekti që kanë ardhur edhe për shkak të gjykimit dhe dënimit të grupit “Drenica”, ku janë edhe dy drejtuesit e dy komunave të Drenicës: Drenasit dhe Skënderajt dhe disa komandantë. Në anën tjetër, rezultati i dobët i kandidatit të Nismës, Xhemajli, i cili nga pretendues për të fituar, mezi arriti që të siguronte diçka më shumë se 20% të votave, rreth 10%-12% më shumë sesa Drenori. Pra, Drenori i vetëm mori vota sa gjysma e Nismës si parti, madje i koalicionit AAK-Nisma. Pra, veçori e parë dhe e rëndësishme është se në Drenas, PDK po paguan koston e çarjeve të brendshme. Tash mbetet të shihet se kah do të anojë Drenori, i cili ka në dorë që të përcaktojë edhe fituesin e balotazhit. Një veçori tjetër, është edhe përvijimi i një koalicioni të gjerë të partive kundër PDK-së, e në të cilin do të mund të përfshihej LDK, e cila vazhdon të jetë viktimë e perceptimit të gabueshëm të një pjese të qytetarëve të kësaj komune dhe të Drenicës nëpërgjithësi. Edhe pse rezultati nuk është i mirë, megjithatë nuk është rezultati real i mbështetjes që ka LDK në Drenicë, sepse trysnia mbi trupën zgjedhore të saj, pamundësia për të ruajtur votat, si dhe vazhdimi i keqpërdorimit të sakrificës qytetare, megjithatë është një rezultat që kërkon të analizohet me objektivitet. Rezultati i AKR-së më shumë është rezultat i këpurdhave, i premtimeve dhe iluzioneve për mundësinë e investimeve nga ana Pacollit, është një dëshmi se në këto zgjedhje, sikurse në të kaluarën, në rezultat po ndikojnë edhe format e ndryshme edhe korruptive të shitjes së votës. Së këndejmi, duhet thënë se këto zgjedhje nuk kanë qenë test, sepse të gjithë e kanë ditur se në këtë komunë do të reflektohen edhe çarjet e PDK-së, të bredshmet dhe të jashtmet, pra edhe ka qenë e rëndësishme rrjedha e zhvillimeve dhe e reflektimeve të tyre te qytetarët. Dhe këto zgjedhje e treguan këtë.