​Epidemiologu zviceran paralajmëron se masat e kufizimit mund të zgjasin edhe dy vjet

03.05.2020 22:49:30

Për të mbajtur nën kontroll përhapjen e koronavirusit, njerëzit do të duhet të jetojnë me masa kufizuese për dy ose më shumë vjet, sipas epidemiologut zviceran Matthias Egger.

Kreu i Shtabit të krizave për luftën kundër koronavirusit në Zvicër, deklaroi sot për gazetën NZZamSonntag, se shpreson që vaksinimi të fillonte brenda një viti, por paralajmëroi se ka ende shumë pengesa, transmeton KosovaPress.

“Është e mundur që ne duhet të vazhdojmë të jetojmë në këtë mënyrë për dy vjet ose më shumë. Ne mund të zbulojmë veti të pakëndshme që komplikojnë dhe ngadalësojnë zhvillimin e vaksinave efektive dhe të sigurta”, tha Egger.

Sipas Egger, kjo do të thotë se duhet të kufizohemi për një kohë më të gjatë duke u përkujdesur për higjienën personale, mbajtjen e distancës sociale dhe përdorimin e maskave për të ngadalësuar përhapjen e virusit.