​Infektologu Valbon Krasniqi apelon qytetarët: Rrini në shtëpi, mos e bëni veten për spital!

12.04.2020 15:22:07

Infektologu Valbon Krasniqi, ka reaguar pas pamjeve të publikuara se një numër i madh i qytetarëve sot ia kishin mësyrë Prevallës e Brezovicës.

Infektologu kosovar, Valbon Krasniqi, ka reaguar pas lajmeve se qytetarët kanë dalë nëpër vende malore të Kosovës, siç është Prevalla, Rugova e Brezovica.

Krasniqi ka shkruar në Facebook se dalje të tilla të qytetarëve nuk duhet dhe nuk guxojnë të ndodhin.

Ai shton se të gjitha këto bukuri natyrore do t’i kemi aty edhe pasi të përfundojë pandemia.

Postimi i plotë i Krasniqit, pa ndërhyrje:

Të nderuar qytetarë të vendit

Nuk munda të rri i qetë kur lexova në portalet tona se shumë qytetarë sot ja paskan mësyrë Prevallës. Në një video nga atje po shihen dhjetëra vetura duke pritur në radhë. Kjo nuk duhet të ndodhë ,, kjo NUK GUXON të ndodhë.
Prevallën do t’a kemi aty edhe pasi të kalojë pandemia.

Ndjej obligim profesional e qytetar, që t’ju bëj thirrje atyre njerëzve të kthehen nëpër shtëpitë e tyre.

Prevallën , Badovcin, Rugovën, Batllavën e shumë bukuri tjera natyore të Kosovës do t’i shijojmë të gjithë bashkarisht pasi të kalojë epidemia.

Uroj të kuptohet drejt kjo thirrje e imja dhe thirrjet e gjithë kolegëve e autoriteteve tona shëndetësore për të qëndruar në shtëpi.

#Rrinshpi Mos e bën veten për spital !.