Itali: Mafia shpërndan ushqim tek banorët e vafër

12.04.2020 16:42:14

Derisa Italia po përpiqet të rimëkëmbë ekonominë gjatë kohës kur po përballet me koronavirus, mafia italiane po fiton mbështetje lokale duke shpërndarë ushqim falas për familjet e varfra në karantinë, kanë paralajmëruar autoritetet.

Javët e fundit, një sërë videosh kanë treguar se banda të njohura mafioze po shpërndajnë mallra esenciale për italianët e goditur nga emergjenca ndaj COVID-19, raporton The Guardian.

Zonat më të varfra në mbarë vendin përfshijnë Kampanjan, Kalabrinë, Sicilinë dhe Pugliën.

“Për më shumë se një muaj, dyqanet, kafenetë, restaurantet dhe baret janë mbyllur”, tha Nicola Gratteri, hetuesi i anti-mafisë dhe drejtuesi i zyrës së prokurorit në Cantazaro për The Guardian.

“Nëse shteti nuk merr përsipër familjet e varfra, mafia do t’iu sigurojë shërbimet, duke vendosur kontroll mbi jetët e tyre”, vlerësoi rrezikun Gratteri.

Masat e izolimit po prekin rreth 3,3 milionë njerëz në Itali, që punojnë jashtë marrëdhënieve kontraktuale. Prej tyre, më se një milion jetojnë në jug, sipas shifrave të fundit nga CGIA Mestre, një shoqatë e bizneseve të vogla.

Marrë parasysh sinjalet e para të rritjes së trazirave sociale, Ministrja e Brendshme italiane, Luciana Lamorgese, tha se “mafia mund të përfitojë nga varfëria në rritje, duke u zhvendosur për të rekrutuar njerëz në organizatën e saj”.

Çështja e shpërndarjes së parcelave ushqimore është një taktikë aq e vjetër sa vetë mafia, ku në jug të Italisë shefat e kanë paraqitur zakonshëm para njerëzve si taktikë përfitimi, fillimisht pa kërkuar asgjë në këmbim.