​Osmani: Beteja me COVID-19 s’ka përfunduar, dhimbja jonë mund të rritet

17.10.2020 23:01:47

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka paralajmëruar se në muajt në vazhdim mund të ketë rritje të rasteve me COVID-19, por edhe vdekje të reja nga kjo pandemi.

Përmes një statusi në Facebook, Osmani ka thënë se beteja me coronavirus nuk ka përfunduar, andaj ka kërkuar nga të gjithë qytetarët që të shtojnë kujdesin dhe të respektojnë të gjitha masat parandaluese.

“Beteja jonë me COVID-19 nuk ka përfunduar dhe këta muaj rritet rreziku siç po dëshmohet me rritjen e numrave të të infektuarve. Por, siç kam theksuar gjithmonë, prapa secilit nga këta numra qëndron një histori, një familje, dhimbje e frikë, përballje me shumë sfida. Prandaj, kujdesi ynë ndaj shëndetit tani është edhe më i rëndësishëm. Dhimbja jonë mund të rritet ditë pas dite, ashtu siç po rriten numrat, në qoftë se nuk tregojmë kujdes të shtuar.

Pra, ta mbajmë maskën, higjienën e distancën fizike edhe atëherë kur ndihemi të lodhur nga e gjithë kjo që po ndodhë, e edhe atëherë kur na mungojnë përqafimet e më të dashurve.

COVID-19 është kudo përreth nesh. Kemi nevojë të mobilizohemi me një zë që ta zvogëlojmë dhimbjen, t’i zvogëlojmë vuajtjet dhe ta rrisim shpresën”, shkruan Osmani.

&