​Vendosja e etiketave ngjitëse, serbët mirëpresin implementimin e marrëveshjes

04.10.2021 12:34:22

Ka nisur sot zbatimi i pikës së dytë të Marrëveshjes së Brukselit, sipas së cilës, si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra-tjetrës deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme. E vendosja e etiketave ngjitëse në targa po mirëpritet nga qytetarët serbë që ia kanë mësyrë Kosovës përmes pikës kufitare në Merdarë.

Zëvendësimi i tabelave të përkohshme, sipas marrëveshjes për targat të arritur në Bruksel, me vendosjen e etiketave ngjitëse mbi elementet shtetërore nuk zgjatë më shumë se një minutë, procedurë kjo që ka përshpejtuar procedurat për kalimet kufitare Kosovë – Serbi.

Ndonëse ka qarkullim më te vogël se më 20 shtator kur edhe u mor vendimi nga Qeveria e Kosovës për reciprocitet për targat e automjeteve të Serbisë, qytetarët që kaluan kufirin në Merdarë në përgjithësi po mirëpresin marrëveshjen e arritur në Bruksel, duke thënë se u takon të zbatojnë marrëveshjet që arrihen mes dy qeverive.

Teksa shprehen të kënaqur që me marrëveshjen e Brukselit u është lehtësuar procedura për kalimin e kufirit me Kosovën.

Qytetari Dejan Paunoviq, që po udhëtonte për në Mitrovicë dhe në Vushtrri, thotë se procedura e re nuk po u merr shumë kohë. Teksa shton se këtë herë nuk pati vonesa të asnjë natyre.