1 prilli, Basha: Ta rrëzojmë me votë koalicionin e gënjeshtrave

01.04.2017 11:50:02

Në ditën e 1 prillit, e shndërruar në simbolikë për politikën shqiptare, katër 4 vjet pas nënshkrimit të koalicionit mes PS-LSI për të qeverisur vendin, kreu i PD-së Lulzim Basha ka deklaruar se populli dhe qytetarët do ta largojnë këtë “binom” me qeveri teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Para protestuesve në sheshin përballë kryeministrisë, Basha ka thënë se shqiptarët nuk janë më budallenj që t’i besojnë premtimeve dhe mashtrimeve që bëri 4 vjet më parë Rama para se të merrte pushtetin.

“Kur dështon të mbyllësh pjesën e kontratës, largohet qeveria dhe jo populli dhe gjithçka bëhet me gjykim dhe me votë. Sot me 1 prill dhe katër vjet pas 1 prillit 2013 dhe koalicionit aktual në pushtet, Rama e di mirë se me gjykim popullor është i rënë dhe i larguar një herë e mirë nga qeverisja. Detyra jonë është ta ndalojmë dhe gjykojmë këtë vendim popullor me votë, – tha Basha. – Premtimet dhe mashtrimet që bëri 4 vjet më parë janë kthyer në barcaleta, si 300 mijë vende pune, apo shëndetësi falas”.

Basha nënvizoi se aleanca e krimit që erdhi në pushtet katër më parë, do të shkulet nga rrënjët dhe do bëhet copë e çikë: “Sot është 1 prilli, por shqiptarët kanë vendosur të mos jenë më budallenj, sepse asgjë nuk ka për të ndryshuar nëse nuk thyhet copë e çikë aleanca e krimit në pushtet. Asgjë nuk ka për të ndryshuar me një grusht oligarkësh hajdutë që kanë marrë pasuritë e vendit, koncesionet, paratë e shqiptarëve, asgjë nuk ka për të ndryshuar nëse kjo betejë nuk arrin qëllimin e saj për të larguar me votë ata që keqqeverisin. Ta shkulim nga rrënjët koalicionin e 1 prillit, zakonin e 1 prillit, të keqen e 1 prillit, të gënjeshtrave dhe mashtrimeve”.