10 raste të reja me koronavirus në Gjilan

23.08.2020 19:23:59

Që nga fillimi i pandemisë, Gjilani numëron 760 raste me koronavirus.

Në Komunën e Gjilanit në 24 orët e fundit janë regjistruar edhe 10 raste të reja, kështu duke e çuar në 760 numrin e përgjithshëm të të infektuarve në këtë komunë, shkruan lajmi.net.

Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se janë në pritje të rezultateve për një mostër, përderisa ka bërë të ditur se janë gjithsej 190 raste aktive në këtë komunë.

Njoftimi i plotë i Ismajlit, pa ndërhyrje:

Të dashur qytetarë,

Në takimin e radhës në Qendrën Operative Emergjente diskutuam rastet e ditës së sotshme, ku kemi 10 raste të reja pozitive me COVID19 dhe 10 të shëruar.

Të rezultuar pozitiv deri më sot kemi 760 raste. Nga këto raste, të shëruar kemi 539 raste, dhe fatkeqësisht, të vdekur kemi 31 persona. Ndërsa, raste aktive kemi 190. Nga këto raste aktive, të hospitalizuar kemi 56 persona. Aktualisht, kemi vetem 1 mostër në pritje sepse ka rënë numri i atyre që kërkojnë t’iu bëhet testi dhe na bënë të mendojmë që situata gradualisht po shkon drejtë normalizimit.

Vazhdoni kujdesin e shtuar. Shmangni kontaktet me duar me njëri-tjetrin. Kur të përshëndeteni, mbani distancën e duhur, së bashku me maskën mbrojtëse. Pastroni duart shumë herë. Nëse i përmbahemi këtyre rekomandimeve, natyrisht që edhe trajektorja e këtij virusi do të bie.

#bashkeiadalim.