18-vjeçari nga Kamenica vetëvritet aksidentalisht me pushkë gjuetie

04.02.2020 10:28:46

Një 18-vjeçar nga fshatin Tërsten i Kamenicës është vetëvrarë aksidentalisht me pushkë gjuetie.

Të hënën në ora 19:30, në fshatin Tërsten të Kamenicës është vetëvrarë aksidentalisht me pushkë gjuetie një 18-vjeçar.

Siç njofton Prokuroria Themelore e Gjilanit, 18-vjeçarit të ndjerë aksidentalisht i kishte shkrepur pushka e gjuetisë, me ç’rast e kishte goditur në pjesën e majtë të kokës.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, ju njofton se gjatë ditës së djeshme, përkatësisht më 03 shkurt 2020, rreth orës 19:30 minuta, një person, i moshës 18-vjeçare, duke manipuluar me një pushkë gjuetie, aksidentalisht ka humbur jetën. Dyshohet se i ndjeri M.B. (2002), nga Gjilani, gjersa kishte qenë në shtëpinë e babait të tij, në fshatin Tërsten, komuna e Kamenicës, duke manovruar me një armë gjuetie të llojit ‘’Magnum’’, e njëjta aksidentalisht kishte shkrepur, duke i shkaktuar lëndime në pjesën e majtë të kokës, si pasojë e të cilave ka humbur jetën”, thuhet në njoftim.

Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë prokurori kujdestar, policia dhe mjeku kujdestar, i cili edhe e ka konstatuar vdekjen e tij, ndërsa rasti është cilësuar si “Vetëvrasje aksidentale”.

Prokurori i rastit, ka dhënë urdhër që trupi i pa jetë i të ndjerit, të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për kryerjen e obduksionit.

foto arkivi