19 orë bisedime në Bruksel, por pa rezultat përfundimtar

03.08.2016 14:24:31
Ka përfunduar në Bruksel raundi i bisedimeve mes palës së Kosovës dhe asaj serbe në lidhje me zhbllokimin e marrëveshjeve të cilat janë bllokuar për një vit.
Sipas një komunikate të zyrës së kryeministrit ky raund i bisedimeve ka qenë maratonik dhe ka zgjatur mbi nëntëmbëdhjetë (19) orë.t

“Me gjithë faktin se këto kanë qenë bisedime mjaft të vështira, por në një atmosferë konstruktive të ndërmjetësuara nga Drejtoresha e BE-së për Evropën Perëndimore dhe Ballkanin, znj. Angelina Eichhorst, është shënuar progres në zhbllokimin e marrëveshjeve në fushën e heqjes së barrikadës nga ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe marrjen e kodit telefonik shtetëror për Kosovën”, thuhet në një komunikatë ku citohet ministrja për Dialog Edita Tahiri, e cila kryeson delegacionin e Kosovës në Bruksel.

Siç potencohet në komunikatë angazhimi i Bashkimit Evropian në këto bisedime ka qenë maksimal në mënyrë që këto dy çështje më në fund të zbatohen dhe qëndrimi i BE-së ka qenë i qartë që palët duhet t’i plotësojnë obligimet e tyre zbatuese duke theksuar se ky dialog është për fqinjësinë e mirë dhe është kusht për të dyja shtetet në rrugën e tyre të integrimit evropian.

“Delegacioni i Republikës së Kosovës ka qenë plotësisht i angazhuar në mbrojtjen e interesave shtetërore duke marrë parasysh se kodi telefonik shtetëror për Kosovën ka një rëndësi të madhe në fushën e telekomunikacionit sidomos në planin sovranitetit ndërkombëtarë në Telekom. Ministrja Tahiri theksoi se në çështjen e kodit telefonik për Kosovën bisedimet kanë shënuar progres dhe në ditët në vazhdim do të mbahet takimi i radhës në të cilin do të përmbyllet çështja e kodit telefonik shtetëror për Kosovën”.

Tahiri vlerësoi se angazhimi i grupit punues për çështje të Telekomit i kryesuar nga Kreshnik Gashi, kryesues i grupit shtetëror punues për çështje të Telekomit në dialogun e Brukselit ka qenë maksimal, si dhe ka treguar kompetencë dhe përgjegjësi të lartë shtetërore për zbatimin e përpiktë të marrëveshjes për Telekomin e cila Kosovës ia mundëson kodin telefonik +383 dhe që së shpejti ITU pritet t’ia alokojë Kosovës.

“Ky raund i bisedimeve u fokusua edhe në çështjen e zhbllokimit të marrëveshjes për heqjen e barrikadës dhe revitalizimin e urës së Mitrovicës ku bisedimet zgjatën deri në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme. Qëllimi i këtyre bisedimeve ishte që sa më shpejtë të fillon procesi i revitalizimit të urës dhe qëndrimi i Bashkimit Evropian ishte i qartë që kjo çështje nuk mund të zvarritet më tej dhe sipas tyre revitalizimi duhet të fillojë para datës 15 gusht 2016”.