29 vjeçarja e vrarë nga 65 vjeçari me të cilën ishte në lidhje: flet e ëma e vajzës

16.08.2016 09:13:37

Lajmi i kobshëm i vrasjes së 29­vjeçares Jonida Çanaku ka mbërritur në fshatin Kryekuq të Divjakës te familjarët e saj, që duket se kanë qenë në dijeni të lidhjes intime të së resë.

Vojsava Çanaku, nëna e vajzës së mbytur nga biznesmeni, është rreth të pesëdhjetave.

Ajo shfaqet në derën e banesës e veshur me të zeza dhe sy të skuqur nga lotët. Ia pret në mes fjalën një të afërmi, që përpiqet t’i japë kurajë.

“Si të mos mërzitem? Të më vdesë fëmija dhe të mos mërzitem?”, i thotë.

“Nuk kam çfarë të them, e shkreta unë. Unë nuk dija asgjë. Erdhën ca policë këtu në mëngjes. Kërkuan vajzën. Ne u habitëm se s’po e merrnim vesh ç’kishte ngjarë. Duam vajzën, thanë, ta pyesin për Sokratin. Po deshët Sokratin, merreni vetë në telefon, u thashë. Ka vdekur, më thanë ata. Ikën dhe nuk më thanë asgjë për vajzën. Vetëm më vonë e morëm vesh, kur e nxori në televizor që Jonida ishte gjetur e vdekur”, thotë ajo.

Vojsava Çanaku shprehet se ishte në dijeni të raportit të vajzës së saj me 65­vjeçarin Sokrat Shani, i dyshuar si vrasësi i saj. Sipas nënës të së ndjerës, vajza kishte disa vite në këtë raport.

“Ata kishin kohë. Duheshin me njëri­tjetrin. Është e vërtetë që kishin diferencë moshe, por ashtu e kishin menduar. I dinin vetë punët e tyre. Ku di unë e shkreta. Kishin mbi tre e gjysmë bashkë, edhe pse nuk ishim dakord për lidhjen. Kemi bërë edhe debate për këtë punë. Ne e njihnim shumë mirë Sokratin. Gjatë këtyre viteve ka ardhur edhe këtu në shtëpi. Për herë të fundit fola para dy ditësh. Ku dija unë që do të ndodhte kjo”, pohon Vojsava.

Në portën e shtëpisë duken disa njerëz. Një grua takon Vojsavën, ndërsa një vajzë e re i hidhet në qafë, duke i thirrur: “Teze, ku është Jonida?!”. Të tria shkrehen në vaj.

“Po unë pardje fola në telefon me të”, thotë në kujë gruaja e sapoardhur. Vojsava hyn brenda në banesë bashkë me to.