Reshitaj, para anëtarëve të komisionit shprehu gatishmërinë për një bashkëpunim të mirë dhe transparent në shërbim të qytetarëve. Ajo tha se prioritet i ministrisë është plotësimi i kornizës ligjore dhe zbatimi saj në fushën e MMPH. Lidhur më këtë ajo potencoi se do t’i ketë në fokus ndërtimet dhe banimet, përmirësimin e gjendjes së mjedisit, administrimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të resurseve ujore, rehabilitimin shtretërve të lumenjve, fuqizimin e menaxhimit të parqeve kombëtare, zhvillimin e kadastrit etj.
Reshitaj theksoi se ministria që ajo drejton ka nën mbikëqyrje edhe dy agjencione të mëdha, siç janë: Agjencia e mjedisit dhe Agjencia e kadastrës, për të cilat, siç tha ajo, është duke u punuar në hartimin e një rregulloreje për t’i funksionalizuar maksimalisht.
Ministrja tha se MMPH-ja planifikohen të hartojë, plotësojë dhe ndryshojë ligjet nga fusha e mjedisit dhe fushat e tjera që mbulon kjo ministri, ndryshime këto që konsiderohen të nevojshme.
Anëtarët e komisionit, nga ana e tyre, shtruan pyetjet e tyre lidhur me objektivat dhe synimet e kësaj ministrie, si: strategjinë që ka ministria lidhur me evitimin e ndotjes së lumenjve, Ligjin për legalizimin e ndërtimeve pa leje, parandalimin e gurthyesve në zonat e banuara, parandalimin e ndotjes së ajrit të shkaktuar nga makinat e vjetra, trajtimin e termocentraleve, krijimin e odave për inxhinierë dhe arkitektë etj.
Ministrja Reshitaj, është përgjigjur duke dhënë sqarime lidhur me çështjet që janë ngritur nga ana e anëtarëve të komisionit.