Janë gjetur drogë dhe armë në Suharekë

17.08.2016 21:44:42

Policia e rajonit të Prizrenit ka njoftuar se është kryer bastisje në një shtëpi në Leshan të Suharekës në kërkim të bimëve narkotike.

“Hetues policorë të sektorit kundër narkotikëve nga Prizreni të mbështetur edhe nga njësi tjera policore kanë kryer një bastisje në shtëpi dhe prona të një të dyshuari me mbiemër Kodra në Leshan të Suharekës në kërkim të bimëve narkotike”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, janë gjetur 80 bimë 2 deri në 3 metra të gjata të cilat janë çrrënjosur dhe është sekuestruar një pushkë e kalibrit 7.62 milimetra.

“Gjatë ushtrimit të kontrollit janë gjetur dhe çrrënjosur 80 bimë 2-3 metra të gjata që dyshohet të jenë kanabis sativa. Po ashtu është sekuestruar edhe një pushkë gjysmë automatike e kalibrit 7.62mm  me një fishekë”, sqarohet tutje në njoftim.

Për të gjitha këto, siç bëhet e ditur nga policia, është informuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që i dyshuari të ndalët nën masën e arrestit policor.