Kallzim penal ndaj Sami Lushtakut, kërcënoi zëdhënësin e komunës së Skenderajt

03.05.2018 23:49:08

Përplasjet në mes grupeve në Partinë Demokratike të Kosovës kanë vazhduar edhe në procesin e fundit zgjedhor në Skenderaj.

Ndaj Sami Lushtakut është ngritur padi tanimë nga Ramiz Shala.

Kryetari i nëndegës së tretë të PDK-së, Ramiz Shala, njëherit edhe zëdhënës në këtë komunë, po e akuzon deputetin e PDK-së të Kuvendit të Kosovës Mërgim Lushtakun se e prishi procesin zgjedhor më 29 prill me ndërhyrjet e tij arbitrare.

E vetëm një ditë më vonë, gjatë homazheve pranë shtatores së Ilaz Kodrës, Shala thotë se u kërcënua nga kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, ndaj të cilit tashmë ka nisur një padi.

Por deklarimet e Shalës në rrjetet sociale rreth problemeve që e përcollën procesin zgjedhor të të rinjve të PDK-së në Skenderaj bënë që deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku t’i drejtohet atij përmes një letre dërguar me postën e Kosovës. Në këtë letër, Mërgim Lushtaku i kërkon Shalës që të tërhiqet nga deklarimet e tij, të cilat ai i konsideron si shpifje.

Deputetit i PDK-së Mërgim Lushtaku për situatën e krijuar, nuk është prononcuar akoma.

Ndërsa kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, përmes asistentit Amir Lushtaku, e ka mohuar se e ka kërcënuar Ramiz Shalën.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zaiti, ka thënë se policia e Kosovës nuk ka pranuar asnjë informatë lidhur me ndonjë incident më 29 prill, kur ishte zhvilluar procesi zgjedhor i PDK-së në Skenderaj.