Vetëm një orë pasi Apeli i Krimeve të Rënda vendosi për të dytën herë në favor të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri duke hequr masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ka reaguar ashpër kreu i PD, Lulzim Basha.
“U mbyll sipas paktit mafioz Rama-Tahiri, farsa e paralajmëruar e “arrestit” dhe “dorëzimit” të kontrolluar të Tahirit tek ‘drejtësia’”, shkruan Basha në Facebook, si për të treguar se saga Tahiri deri më tani ka qenë një lojë për të manipuluar shqiptarët e ndërkombëtarët.
Sipas liderit të opozitës, “lirimi i Saimir Tahirit është triumfi i krimit dhe trafikantëve të drogës dhe goditje e rëndë për integrimin europian të Shqipërisë dhe drejtësinë e vërtetë”.
“Ky akt rikonfirmoi se Edi Rama dhe Saimir Tahiri kanë qenë, janë dhe do të jenë një dhe të pandarë. Ata së bashku përdorën krimin dhe drogën për para dhe pushtet dhe tani po përdorin pushtetin për të garantuar pandëshkueshmërinë e Tahirit, Habiljave dhe trafikantëve të tjerë të drogës”, thekson Basha.
Më tej kreu i PD e lidh lirimin e ish-ministrit të Brendshëm me një zgjedhje të kryeministrit Edi Rama për t’u rreshtuar përgjithmonë në “anën e krimit e në dëm të Shqipërisë”. Basha e sheh vendimin e sotëm të Apelit si hap drejt konfirmimit të “JO-së” për negociatat në qershor dhe kontroll të plotë të sistemit të drejtësisë nga qeveria.
“Kjo është goditje direkte për mundësinë e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian. Nxjerrja e Saimir Tahirit para drejtësisë është kërkesë specifike për hapjen e negociatave për disa qeveri Europiane të cilat e kanë informuar qartë dhe direkt Edi Ramën për këtë gjë. Lirimi i Tahirit tregon se drejtësia është tashmë nën kontrollin e plotë të Edi Ramës dhe kriminelëve të lidhur me të. Kapja totale e Prokurorisë, shkrirja e Gjykatës Kushtetuese dhe paralizimi i Gjykatës së Lartë janë garancia më e madhe që Edi Rama ofron për të gjithë kriminelët dhe pushtetarët e lidhur me krimin”, nënvizon Basha.






































