Shkoder/ Vrau të vëllanë me thikë, arrestohet nga policia 26-vjeçari në Maqellarë, ja detajet si u arrit të vihej në pranga

01.05.2021 08:51:09

Dy ditë pas krimit të rëndë 26-vjeçari, i cili vrau me thikë të vëllanë në Maqellarë, është arrestuar dje nga forcat speciale të FNSH-së. I riu fshihej në një shtëpi të braktisur në lagjen ku edhe banonte. Ndërsa kanë qenë familjarët që kanë njoftuar policinë, pasi autori kishte shkuar në fshehtësi pranë banesës së tij për të marrë pjesë në varrimin e të vëllait ku edhe është pikasur nga banorët dhe familjarët. Këta të fundit së bashku me policinë janë angazhuar për kapjen e të riut, i cili po përpiqej të arratisej sërish, duke u larguar me vrap. Nga hetimet paraprake dyshohet që ngjarja e rëndë, të ketë ndodhur për motive të dobëta, ndërsa shkaku i vërtetë pritet të zbulohet pas marrjes në pyetje të 26-vjeçarit me iniciale F.T. Sakaq burime të tjera bëjnë me dije se i arrestuari, i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, para një viti ka qenë i dënuar për veprën penale “Dhunë në familje”. Ai akuzohet se ushtronte dhunë ndaj babait të tij. Ndërsa banorët e fshatit e kanë cilësuar si person problematik. “Operacioni i finalizuar nga DVP Dibër dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër, në bashkëpunim me DVP Dibër dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër, në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur në mesnatën e datës 29.04.2021, në Maqellarë, kanë ushtruar kontrolle në zonë dhe si rezultat u bë e mundur gjetja e vendndodhjes dhe kapja e shtetasit F. T., 26 vjeç, i cili ishte fshehur në një banesë të braktisur në fshatin Kurbeg, Maqellarë. Ky shtetas për motive të dobëta, dyshohet se ka plagosur me mjet prerës vëllanë e tij, i cili si pasojë e plagëve humbi jetën në spital”, thuhet në njoftimin për shtyp nga policia. Ndërkohë, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.
Ja si ndodhi ngjarja
Skena makabre ndodhi në oborrin e shtëpisë, në sy të babait të dy të rinjve 26 dhe 23 vjeç. Nuk dihen ende motivet që e çuan të riun me iniciale F. T., në aktin e rëndë të vëllavrasjes. Si pasojë e goditjes disa herë me thikë, më i vogli i familjes 23 vjeç, fatkeqësisht nuk u mbijetoi plagëve të marra dhe humbi jetën në spital. Fill pas ngjarjes autori u largua, ndërsa dje është kapur nga policia duke u përpjekur të fshihej në një banesë të braktisur në lagje. Ky i fundit, është cilësuar shpesh nga banorët e zonës si person problematik. Sipas dëshmisë së tyre, familja në fjalë ishte e qetë dhe nuk kishte shfaqur probleme më herët. Ata pretendojnë se autori, 26-vjeçari F. T., kishte vetëm pak muaj që kishte dalë nga burgu, rreth 3-4 muaj më parë, ndërkohë që dyshohet se ishte përdorues i lëndëve narkotike. Ndërsa kanë shtuar se, familja kishte vetëm këta dy djemtë dhe se autori pas daljes nga burgu kishte shfaqur probleme me shëndetin mendor. “Janë familje e mirë. Në hallet dhe punët e veta. Shihnin hallet të veta. I vogli iu shtrua punës. Nuk kanë pasur konflikte, ne nuk dimë gjë. Me aq as kemi parë, sjellja ka qenë e mirë. Vetëm këta dy djem kanë familja. Ishin të pamartuar. E morëm vesh ngjarjen kur u zgjuam në mëngjes, s’dimë gjë gjëra të tjera”, mësohet të ketë thënë njëri prej fqinjëve.