Zëvendësminstri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha ka pritur sot ambasadorin e Maqedonisë në vendin tonë, z. Ilija Strasevski. Në këtë takim, z. Hoxha dhe z. Strasevski kanë biseduar për çështjen e migrimit të paligjshëm. Të dy bashkëbiseduesit i kanë vlerësuar marrëdhënet ndërmjet dy shteteve si të mira dhe u pajtuan që të vazhdohet edhe më tej komunikimi i mirë i ndërsjellë.
“Sot prita në takim ambasadorin e Republikës së Maqedonisë në Kosovë, z. Ilija Strasevski, me të cilin diskutuam për çështjen e sigurisë në përgjithësi dhe për çështjen e migrimit në të dyja vendet respektive, duke pasur si fokus kryesor trajtimin e migrimit të paligjshëm.
Të dy vlerësuam se mes dy vendeve tona ekzistojnë marrëdhënie të mira ndërshtetërore dhe po ashtu konstatuam bashkëpunimin shumë të mirë edhe në kontekst të bashkëpunimit policor kufitar.
Po ashtu u pajtuam se duhet të vazhdohet edhe më tutje komunikimi i ndërsjellë në të gjitha fushat me rëndësi për të dyja vendet dhe se koordinimi i mirë në mes të mekanizmave të sigurisë, është në interes të të dyja vendeve dhe tërë rajonit.” ka thënë z. Hoxha në njoftimin e tij./fokusi.org






































