Nis shpërndarja e ndihmave për familjet e prekura nga përmbytjet

12.11.2016 14:06:35

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se situata e përmbytjeve vijon të jetë ende problematike në disa zona të vendit për shkak të reshjeve të dendura të shiut që kanë nisur prej ditësh.

Ndonëse nuk foli për shifra lidhur me të prekurit nga kjo situatë, Tahiri u shpreh se nga ana e autoriteteve po punohet për të shmangur pasojat në humbjet e jetëve njerëzore.

“Në kushtet aktuale po bëjmë gjithçka është e mundur për të menaxhuar situatën çdo cep të Shqipërisë, për të mos pasur vështirësi e situata kritike me përmbytjet. Ka ende shumë për të bërë, situata është ende ne vlerësim të vazhdueshëm pasi reshjet nuk kanë pushuar, ka zona të vendit që janë me temperatura të larta, ende në kërcënimin e motit, ne po e monitorojmë situatën në mënyrë që të shmangim sa është e mundur pasojat në pasurinë e qytetarëve dhe ajo që është me e rëndësishme atë të jetëve njerëzore”, tha Tahiri.

Të prekurve nga përmbytjet, Tahiri tha se po u shpërndahen ndihma nga ana e strukturave të Emergjencave Civile dhe Rezervave të Shtetit.

“Nga sot nisim dhe një fushatë të tërë ndihme dhe solidariteti për ata që u prekën nga kjo përmbytje. Do ta vazhdojmë me çdo familje duke i ndihmuar që të krijojnë kushtet e jetesës në banesat që kishin prani të ujit”, deklaroi ai gjatë shpërndarjes së ndihmave për disa familje të prekura nga përmbytjet në njësinë administrative 11 në Tiranë.