E marta në Supersport kulmon me Liverpool-Chelsea

31.01.2017 09:48:19

Raundi i 4-t i Fa Cup i lë vendin javës së 23-të të Premier League e cila kulmon këtë të Martë me një supersfidë. Luhet Liverpool-Chelsea, një përballje titanësh që do të keni mundësi ta përjetoni live vetëm në Supersport. 10 pikë është diferenca në klasifikim mes të Kuqëve të Jurgen Klopp dhe Chelsea-it kryesues, megjithatë kjo pak rëndësi ka sepse nuk duhet harruar kurrësesi fakti që Liverpooli është e vetmja skuadër që ka mundur formacionin e Antonio Contes brenda në Stamford Bridge gjatë këtij sezoni. The Reds nuk po kalojnë një moment aspak të mirë, por nga ana tjetër Liverpooli është i vetmi ekip që nuk ka pësuar humbje përballë skuadrave që pozicionohen në 6-shen e parë të renditjes.

Të Kuqtë kanë fituar ndaj Chelsea-it, Arsenalit, Manchester City-it, si dhe kanë barazuar 1 herë ndaj Tottenham-it dhe dy herë ndaj Manchester United. Një sinjal mëse i qartë ky se James Milner me shokë ndaj skuadrave me emër japin më të mirën e tyre në fushë. Chelsea ndërkohë edhe pse kryeson bindshëm Premier Leaguen me 8 pikë avantazh ndaj Arsenalit të vendit të dytë, 3 humbjet që ka pësuar në këtë sezon, i ka marrë pikërisht ndaj skuadrave të mëdha. Liverpoolit në këtë sfidë i rikthehet Sadio Mane, pas impenjimit me Senegalin në Kupën e Afrikës. Edhe Chelsea-i i Antonio Contes nuk ka probleme me dëmtimet me trajnerin italian që mund të mbështetet te të gjithë lojtarët e tij të rëndësishëm. Blutë e Londrës do të ishin të kënaqur edhe me një pikë, pasi luajnë në transfertë dhe mbi të gjitha do të mbanin në distancë sigurie ekipin e Jurgen Klopp. Pavarsisht se cili do të fitojë e sigurtë është që në Anfield Road këtë të Martë do të zhvillohet një spektakël i vërtetë i futbolli.

E Marta sjell në skenë edhe një tjetër ndeshje shumë të bukur. Në San Siro, Interi pret Lazion në një duel të vlefshëm për cerekfinalet e Kupës së Italisë. 90 minuta ose 120 nëse do të jenë të nevojshme edhe shtesat për të përcaktuar, skuadrën e 3-t gjysmëfinaliste të këtij edicioni. Zikaltërit e Stefano Piolit janë dukshëm favoritë jo vetëm për faktin se luajnë në shtëpi, por edhe sepse Interi po kalon një moment të shkëlqyer forme pasi ka fituar 7 sfidat e fundit të kampionatit dhe 9 rresht në të gjitha kompeticionet. Të dy trajnerët do të hedhin në fushë formacionet më të mira të mundshme, edhe pse Pioli në ndryshim nga Simone Inzaghi pritet të aktivizojë edhe emra të tillë si Eder, Banega e Kondogbia, lojtarë të rëndësishëm por që janë aktivizuar fare pak në ndeshjet e fundit.