Konfliktohen në tragetin e linjës Ankona-Durrës, plagoset me thikë një 28-vjeçar

04.08.2016 12:15:45

Një 28-vjeçar nga Mali i Zi është plagosur me thikë gjatë një konflikti për motive të dobta nga një shtetas kosovar në tragetin e linjës Ankona-Durrës.

Policia e Durrësit ka arrestuar në flagrancë shtetasin Altin Hakami, 36 vjeç, lindur në Mitrovicë të Kosovës dhe banues në Londër. Gjithashtu, filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasve Dalibor Jovanoviç (36 vjeç), banues në Maqedoni, Viktor Krstevski (34 vjeç), banues në Maqedoni, Dragan Kovaçeviç (29 vjeç) banues në Malin e Zi dhe Dragis Gogiç (25 vjeç), banuese në Malin e Zi. Rreth orës 03:30 të ditës së sotme, në tragetin e udhëtarëve të linjës Ankona-Durrës, duke qenë në lundrim, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi Altin Hakami ka plagosur me thikë shtetasin V.M., 28 vjeç, banues në Malin e Zi.

Për pasojë, shtetasi i mësipërm ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë, në gjendje të rëndë shëndetësore. Gjithashtu, janë plagosur lehtë shtetasit Dragan Kovaçeviç, Dragisa Gogiç dhe Viktor Krstevski. Gjatë konflkitit kanë marrë dëmtime edhe shtetasi Altin Hakami dhe bashkëshortja e tij, shtetësja L. Hakami (35 vjeç), të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Durrës jashtë rrezikut për jetën.