A do të inicojë LDK-ja mocion mosbesimi ndaj qeverisë Haradinaj? Flet deputeti i kësaj partie

02.04.2018 14:16:13

Pas daljes së Listës Serbe nga qeveria Haradinaj, koalicioni qeverisës ka humbur shumicën në Kuvend.

Nga partitë opozitare vazhdimisht është paralajmëruar inicimi i një mocioni mosbesimi për rrëzimin e qeverisë Haradinaj, duke lënë të kuptohet se është vetëm çështje kohe se kur një mocion i tillë do të dorëzohet në Kuvend, shkruan lajmi.net.

Gjatë ditës së djeshme, deputeti nga rradhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka paralajmëruar se janë dy mundësi për zgjidhjen e kësaj situate, duke përfshirë formimin e një qeverie teknike apo mocionin e mosbesimit.

Mirëpo shtrohet pyetja se a do të jetë vet LDK-ja inicuese e këtij mocioni?

Në një përgjigjeIsmet  Beqiri ka thënë se në të dy rastet e përmendura nga ai, duhet koordinimin dhe bashkëpunim me subjektet e tjera opozitare dhe jo opozitare, dhe se për një vendim të tillë do të vendoset më vonë në partinë e tij.

“Në të dy rastet duhet koordinim dhe bashkëpunim me subjektet tjera opozitare dhe jo opozitare. Por kur mund të ndodhë kjo, nuk mund ta them ende, sepse për këtë vendosin organet vendimarrese të LDK-së”, thotë Beqiri.

Beqiri shton se kryesia e LDK-së do të mblidhet gjatë kësaj jave, për të shqyrtuar të gjitha opsionet dhe kohën më të përshtatshme për zgjedhje të reja, mirëpo siç thotë ai pa u vonuar shumë.

“Besoj se gjatë javës do të mblidhet Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndoshta menjëherë nuk do të vendosim, por gjithsesi do t’i shqyrtojmë të gjitha opsionet e mundshme, që kur vlerësohet se është koha më e mirë për zgjedhje të reja. Mirëpo pa u vonuar shumë”, deklaroi Beqiri për lajmi.net.

Ndryshe, pas rastit të arrestimit të drejtorit të ashtuquajturës zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, që rezultoi me dalje nga koalicioni qeverisës të Listës Serbe, ka pasur qëndrime të ndryshme se nëse duhet të vazhdohet me këtë qeveri dhe përmbushjen e detyrave, apo shpalljes së zgjedhjeve të reja në vend.