Nëntëmbëdhjetë vjet pas rënies, kujtohet dëshmori Salih S. Bytyçi dhe të flijuarit e Shkozës, Baba Lushë…

02.04.2018 13:56:26

Ju nuk keni vdekur, ju jetoni përjetësisht! Shkozë, Malishevë,

2 prill 2018 Jusuf M. Bytyçi
Nëntëmbëdhjetë vjet më parë, në fillim të javës së dytë të sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve dhe objektivave serbe në Kosovë dhe në Serbi, barbarët serbë u hakmorën ndaj civilëve shqiptarë. Pikërisht si rezultat i ndërhyrjes së drejtë të NATO-s ndaj Serbisë e caqeve serbe në Kosovë, forcat serbo-çetnike, u hakmorën ndaj civilëve shqiptarë në çdo lokalitet të Kosovës. Kjo ndodhi edhe në komunën e Malishevës, respektivisht në fshatin Shkozë. Pas masakrës së 31 marsit në Burim, ku u vranë dhe masakruan afër 40 civilë, banorë të fshatrave Dragobil e Astrazupu, barbarët serbë, vazhduan “gjahun” në fshatrat tjera të kësaj komune.
Mes 1 e 2 prillit të vitit 1999, kriminelët serbë, pasi kishin djegur e shkatërruar çdo shtëpi-vatër dhe pronë në fshatin Shkozë e në fshatin fqinj Jançist, kanë vrarë dhe masakruar edhe banorët më të moshuar të këtyre dy fshatrave. Në malet e Shkozës, kriminelët që kishin depërtuar edhe në pyjet më të dendura e tatëpjete, kanë vrarë dhe kanë masakruar pleqtë Alush Limanin -Babën Lushë, më i madhi në familjen Mjeku, si dhe Avdullah Ukën, nunin Dull, të dy 82 vjeç. Në kundërpërgjigje ndaj veprimeve kriminale të forcave serbe, më 2 prill, në Shkozë, ra ish-ushtari i UÇK-së, Salih S. Bytyçi, dëshmor kombi. Po më 2 prill në Shkozë e rrethinë ishte vrarë edhe civili-invalid Hamit Meta, që s’ishte larguar fare nga shtëpia.
Ndërsa në afërsi të fshatit Jançist, barbarët kanë vrarë dhe kanë masakruar edhe dy bashkëshortë Sopaj, Hanifen dhe Rexhepin, 3 të moshuar të tjerë Sopaj e Krasniqi nga ky fshat, Islamin, Arifin dhe Mustafën, bariun Ibish I. Bytyçin, nga Shkoza, rreth 6O vjeç. Janë vrarë e masakruar edhe dy gra nga ky fshat, e ëma Hatmane dhe e bija Bademe Bytyçi, rast i ndodhur në Bellanicë. Lidhje me këto data, në Shkozë, më 2 prill, zakonisht shënohet dita e rënies së dëshmorit Salih Selman Bytyçi, Dita e Shkollës së fshatit, që mban emrin e këtij dëshmori, si dhe Dita e të flijuarëve të Shkozës.
Baba Lushë, ishte i veçantë, pos që ishte më i vjetri në lagjen e Mjekëve, ishte edhe kryefamiljar, ishte më i respektuari edhe në fshat. Si njeri i përjetimeve të rënda në Luftën e Dytë Botërore e në kohën e regjimit komunist, është dëshmuar për virtyte të një njeriu përparimtar, inteligjent, me vizion, i guximshëm dhe shumë këshillues për të ardhmen. Ai e deshi arsimin shqip, e deshi dhe kontribuoi për shkollën, për ndërtimin e infrastrukturës së fshatit, e deshi lirinë, e deshi Pavarësinë, e deshi shumë Shtetin, për të cilin edhe u flijua. Si i tillë, Baba Lushë, mbahet mend nga të gjithë ata që e njohën. Babën Lushë, s’e harrojmë kurrë, ai e meritonte këtë respekt, e meriton për ta mbajtur mend dhe për ta kujtuar gjithmonë.
Baba Lushë, i thoshin edhe më të rinjtë e gjithë fshatit Shkozë. 
Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorit Salih S. Bytyçi, lavdi jetës dhe veprës së të flijuarëve tjerë! Lavdi jetës dhe veprës së Babës Lushë! 
Ju nuk keni vdekur, vetëm ke ndërruar jetë! Ju jetoni përjetësisht me ne! Në përkujtim të dëshmorit Salih S. Bytyçi, si dhe të civilëve të flijuar nga Shkoza, të hënën, Nëndega e OVL të UÇK-së, nga Shkoza dhe familja e dëshmorit, bënë nderim te varri i dëshmorit Salih S. Bytyçi, në varrezat e dëshmorëve në Malishevë, ku vunë buqeta lulesh.
Legjenda: Nga nderimet e sotme