A ka lidhje sëmundja Kawasaki me koronavirusin? Rastet e fundit fatale shqetësojnë OBSH-në, nisin studimet

15.05.2020 19:32:15

Organizata Botërore e Shëndetësisë është duke studiuar lidhjen e mundshme mes COVID-19, që shkakton koronavirusi i ri, dhe një sëmundjeje të rrallë inflamatore që ka sëmurur dhe vrarë fëmijë në Europë e SHBA.

Në javët e fundit, disa vende kanë raportuar raste të fëmijëve me simptoma të ngjashme me ato të sëmundjes Kawasaki.

“Raportet e para supozojnë se kjo sindromë mund të ketë lidhje me COVID-19″, -tha shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë virtuale.

“Është thelbësore që kjo sindromë klinike të përcillet me urgjencë dhe me kujdes, të kuptohet shkaku dhe të përshkruhen ndërhyrjet në trajtim”, -tha ai, shkruan “REL”.

Komentet e Ghebreyesus vijnë pasi një mjek në Francë raportoi vdekjen e një 9-vjeçari, i dalë pozitiv me COVID-19, por që ka vdekur nga sindroma Kawasaki, duke shënuar vdekjen e parë të tillë në këtë vend. Vdekje të ngjashme të fëmijëve po hetohen edhe në Nju Jork dhe Londër.