Në Gjykatën e Lartë ka 34.3111 dosje që presin për t’u shqyrtuar, por për shkak të shkrirjes së këtij institucioni nga procesi i vettingut, prej dy vitesh kanë mbetur pa u shqyrtuar. Shqetësimi kryesor mbetet plotësimi me anëtarë, por kjo aktualisht duket një mision i pamundur për t’u realizuar dhe shkaktarë janë disa faktorë.
Kjo situatë shqetësuese dhe problematike po mban pezull prej dy vitesh dhe pa iu dhënë vendime mijëra dosjeve. Në raportin e Këshillit të Lartë Gjyqësor të siguruar nga Gazeta “Shqip” theksohet se stoku i çështjeve të mbetura në Gjykatën e Lartë prej më se dy vitesh raportohet si problematike, pasi konstatohet një rritje progresive e stokut të çështjeve të mbartura në këtë gjykatë.
“Në fund të vitit 2017 numri i çështjeve të mbartura raportohet të ishte 22 000, ndërsa në fund të vitit 2018 ky numër ishte rritur me 6657 çështje duke mbërritur në 28 657 dosje të pa trajtuara. Në mes të vitit 2019, kur kjo gjykatë mbeti me një anëtar nga 19 të parashikuar në organigramën e saj, numri i dosjeve në pritje për t’u gjykuar raportohet të jetë 34311ose 5654 çështje më shumë se viti i shkuar (2018). Këshilli ka në proces verifikimi edhe kandidatin për pozicionin e 4 të lirë të shpallur në fushën e së drejtës civile”, thuhet në raportin e KLGJ-së.
Por ky institucion thekson se brenda muajit mars ishte parashikuar realizimi i të gjithë procesit të verifikimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve të kualifikuar, ashtu dhe dërgimi i propozimit pranë Presidentit të Republikës për të emëruar anëtarin e ri. Por kjo, sipas raportit, kjo nuk është bërë e mundur për shkak të situatës së krijuar si pasojë e pandemisë globale COVID-19, e cila çoi në pezullimin e aktiviteteve të Këshillit.
Zgjedhja e anëtarit të katërt mund të zgjidhë edhe përplasjen e presidentit Meta me anëtarin Ardian Dvoranin. Presidenti më herët i është drejtuar zyrtarisht për njohjen e procedurave për anëtarin e katërt, i cili duhet të marrë vakancën e lënë nga Xhezair Zaganjori, i shkarkuar nga procesi i vettingut.
6 vende të reja, kur mbyllet plotësimi, rreziku nga vettingu
Në muajin shkurt sipas raportit janë hapur 6 pozicione të lira. Zgjedhja e tyre kondicionohet edhe nga situata e pandemisë Covid-19, si dhe procesi i vlerësimit kalimtarë të gjyqtarëve.
” Hapja e thirrjeve për aplikim për gjyqtar në Gjykatën e Lartë nga radhët e gjyqtarëve. KLGJ-ja, në përputhje me vendimin nr.70, “Mbi kriteret dhe procedurat e ngritjes në detyrë të gjyqtarëve”, në mbledhjen e datës 26 shkurt 2020, ka hapur dhe procedurat e ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për 6 pozicione të lira, 3 në fushën e së drejtës administrative dhe 3 në fushën e së drejtës civile. Kjo ndarje është bërë për shkak të numrit të lartë të çështjeve të regjistruara në pritje për tu shqyrtuar në të tri lëndët, por kryesisht në ato administrative dhe civile”, thuhet në këtë raport.
Përmes mekanizmit të ngritjes në detyrë të 6 gjyqtarëve të tjerë përveç atyre gjyqtarëve të përzgjedhur nga radhët e juristëve të spikatur, KLGJ-ja synon plotësimin me anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe për pasojë rifunksionalizimin e saj. Por në raport bëhet e ditur se thirrja për aplikantët nga gjyqësori është pezulluar që prej datës 12 mars 2020, për shkak të pezullimit të aktiviteteve të Këshillit për shkak të situatës së pandemisë së krijuar nga Covid-19. Por nuk është vetëm ky kushtëzim, por procesi i plotësimit varet edhe nga procesi i vettingut.
“Vlen të theksohet se zbatimi i mekanizmit të ngritjes në detyrë për pozicionet e lira në Gjykatën e Lartë, kushtëzohet si nga procesi i rivlerësimit kalimtar ashtu dhe nga procesi i vlerësimit etik dhe profesional i gjyqtarëve që mund të kandidojnë për t’u bërë anëtarë në këtë gjykatë. Ndaj është e pritshme që procedurat të zgjasin më tepër se afatet e parashikuar në ligj apo rregulloret e miratuara nga KLGJ-ja. Nga një përllogaritje e përafërt mendohet që procedurat për zgjedhjen e tyre të shkojnë nga 4 muaj deri në 9 muaj nga moment i mbylljes së thirrjes për aplikim”, thuhet në raport.







































