A mund të merret virusi vdekjeprurës nga blerjet online nga Kina, zbuloni përgjigjen

29.01.2020 23:34:56

Përballë rrezikut të virusit një nga shqetësimet kryesore lidhet edhe me blerjet online nga Kina. Por a ka rrezik për transmetimin e virusit përmes pakove? Kësaj pyetje i dha përgjigje mbrëmjen e sotme në Repolitix, shefja e Infektivit në QSUT, Najada Çomo duke qetësuar qytetarët.

“Në Shqipëri nuk kemi burim infeksioni për virusin kinez. E dyta, veç burimit të infeksionit nëse ne mbërrijmë te porositë online është luks i madh por që kërkon një përgjigje reale. Transporti nga ai vend derisa të mbërrijë në Shqipëri kalon kohë e gjatë dhe virusi nuk është aq jetë gjatë për të jetuar në mjetet e ambalazhuara dhe në këtë mënyrë nuk ekziston mundësia e përhapjes së virusit.

Kina transporton në të gjithë botën dhe ne jemi vendi fundor që marrim nga Kina. Dhe nëse do të kishte ndodhur instancat në të gjithë botën do të kishin marrë masa drastike për të mos lejuar eksportin e pakove që andej. Unë po them një gjë shumë të rëndësishme, ne nuk kemi burim infeksioni te ushqimi dhe uji që janë burime kryesore. Shqipëria është vend me risk shumë të ulët, ne sot kemi zero raste” tha ajo.