AAK kërkon epilog për demarkacionin, PDK po e bllokon

27.01.2018 18:28:32

Janë partnerë koalicioni, por assesi nuk po mund të gjejnë pajtueshmëri për njërën nga temat më të zëshme në vend, atë për Demarkacionin me Malin e Zi. AAK, që në krye të qeverisë ka liderin e tyre, Ramush Haradinajn, po insistojnë që kjo marrëveshje të procedohet në Kuvend, me qëllim që e njëjta të rrëzohet.

Njësoj, nuk po vepron PDK, ish- shefi i së cilës e nënshkroi marrëveshjen në vitin 2015 në Vjenë, situatë kjo, që për të mund edhe të ketë pasoja.

Kryesia e Kuvendit nuk ka asnjë arsye që të mos e fusë në rend dite dhe ta procedojë tutje marrëveshjen mes Kosovës dhe Malit të Zi, ani pse ata janë arsyetuar se Komisioni për Punë të Jashtme pas shqyrtimit të tij, nuk kishte dhënë rekomandim nëse duhet votuar ose jo.

Mirëpo, mosdërgimi i marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi në Parlament po ndodh për shkak të mospajtimeve të PDK’së me AAK’në. Kështu vlerëson, Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës. Ai për Express ka sqaruar se sa është vendimtar rekomandimi i këtij Komisioni që marrëveshja të procedohet në Kryesi.

“Me gjasë nuk ka konsensus politik për ta proceduar demarkacionin në seancë, sepse assesi nuk mund të merret si arsye për mosprocedimi tutje mungesa e propozimit se si të votohet për një projektligj. Edhe brenda Komisionit për Pune të Jashtme nuk ka pasur pajtueshmëri se a të rekomandohet se si të votohet apo jo”, ka bërë të ditur Murati. Siç shprehet ai, deputetët kane të drejte dhe liri të plotë të votojnë për një projektligj sipas bindjeve te tyre, pa marre parasysh rekomandimin e Komisionit funksional, e qe në këtë rast është KPJ”, ka shtuar ai.

Komisioni për Punë të Jashtme, ia ka proceduar Kuvendit të Kosovës Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ditë më parë. Por, pa ndonjë rekomandim që të votohet apo jo. Megjithëse anëtarët e Komisionit nga VV, AAK dhe Nisma insistuan që ky Projektligj t’i shkojë Kuvendit me rekomandimin, që mos të votohet kjo marrëveshje, propozim ky i cili nuk kaloi. Zyrtarë në Kuvend thanë se nuk ka se si të shqyrtohet nga Kryesia, kur për të nuk ka asnjë rekomandim.

Por, sipas Muratit edhe po të kishte rekomandim, i njëjti nuk është i detyrueshëm për deputetët dhe se kjo është arsyeja përse Kryesia ende nuk e ka proceduar këtë projektligj në seancë.

“Konsideroj se ende nuk është arritur një konsensus politik, sidomos mes partnerëve të koalicionit qeverisës, se si ta trajtojnë dhe si t’i japin zgjidhje demarkacionit. Po shihet qarte se presioni ndërkombëtar për këtë çështje po rritet, andaj deputetët duhet sa me shpejt t’i japin një epilog kësaj çështjeje, që po vazhdon t’i mbaje pezull qytetaret pre gati tri vite”, bëri të ditur hulumtuesi i KDI’së.

Sidoqoftë, sa ishte në opozitë, partia e Ramush Haradinajt kundërshtoi ashpër versionin aktual të marrëveshjes me Malin e Zi. Madje hartat përmes së cilës pretendohej se faktohej ku është kufiri i Kosovës me shtetin malazez, iu gjuajtën për fytyre ish- kryetari të komisionit shtetërorë Murat Meha, nga shefi aktual i Qeverisë. Megjithëse, janë bërë tri vjet që kur u nënshkruar marrëveshja, e njëjta nuk po mund të marrë epilog.

Dikur të ndarë në këtë temë, e sot partnerë qeverisës, PDK nuk po shpreh interesim që Demarkacioni me Malin e Zi, të nxirret për votim. Është e sigurt se votat për ta kaluar nuk i ka. Kësisoj, kjo parti që aktualisht udhëhiqet nga Kadri Veseli, ka zgjedhur që të mos shënojë progres në këtë çështje, ashtu siç po synon AAK, që marrëveshja ekzistuese të procedohet për votim dhe aty të dështojë.

Deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti kohë më parë, duke folur për çështjen e Demarkacionit, tha se marrëveshja nuk duhet të shkojë në Kuvend, nëse votat që ajo të kalojë nuk janë. “Marrëveshja të vij në Kuvend për t’u rrëzuar, kjo do të jetë budallallëku më i madh i joni, i Kuvendit e i Institucioneve të politikës”, kishte thënë zyrtari i PDK’së duke aluduar në qëllimin e AAK’së që marrëveshja të dalë për votim dhe të rrëzohet.

Ramush Haradinaj, i cili provoi që përmes formimit të një komisioni të ri për Demarkacionin, t’i bind ligjvënësit se Kosova humb tokë, nuk rezultoi me sukses. Ani pse, kryeministri kishte thënë se në janarin e 2018-ës, në Parlament do të votohet marrëveshja. Megjithatë, e njëjta së bashku me materialin e Shpejtim Bulliqit, i ishte proceduar Komisionit për Punë të Jashtme që të shqyrtohej dhe më pas t’i dërgohej Kryesisë së Kuvendit për ta futur në rend dite.

Për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate, po flitet edhe për një marrëveshje konsensuale, përgjegjësinë e se cilës e ka marrë kryetari i Nismës Fatmir Limaj. Ai ka paralajmëruar se para ligjvënëseve të vendit do të nxirret një version, të cilin do ta duartrokasin të gjithë. Por, Express kishte mësuar se marrëveshjes aktuale do t’i shtohet një letër zotimi e përbashkët dhe që brenda një periudhe të caktuar dy vendet të hapin bisedimet për të korrigjuar marrëveshjen aty ku ka konteste.

Se a do të pajtohet Mali i Zi me këtë propozim mbetet të shihet më 6 shkurt, ditën kur edhe do ta vizitojë Kosovën, kryeministri i këtij shteti, me ftesë të Ramush Haradinajt. Megjithesë, nga njohësit politik as ardhja e Dusko Markovic nuk do ta zgjidh ngërçin në të cilin gjendet vendi si shkak i marrëveshjes.

Çuarja përpara e temave të mëdha si Demarkacioni me Malin e Zi, ishte një nga arsyet e PDK’së, që edhe pse në koalicion me partinë e Isa Mustafës, vendosi që ta mbështeste mocionin e nisur nga opozita që rezultoi suksesshëm në rrëzimin e saj dhe shkuarjen në zgjedhje, shkruan express.

Atëkohë, kjo qeverisje u përballë me një nga skenarët më të rënda. Sidoqoftë, LDK e cila ishte dhe qëndronte mbrapa marrëveshjes, duke thënë se Kosova nuk e humb asnjë milimetër tokë, tash po ia pamundëson PDK’së që të ecën para pikërisht me Demarkacionin.

Kreu i LDK’së, ia ka premtuar PDK’së votën e partisë së tij pro Demarkacionit, nëse e njëjta arrin t’i bëjë 61 deputetë që do të ishin pro kësaj marrëveshjeje. Megjithatë, Demarkacioni, si njëri nga kushtet e fundit për Kosovën, që ta nxjerr vendin nga regjimi i vizave dhe izolimi, mbetet thirrja e vazhdueshme e vendeve mike që kësaj situate sa më shpejt t’i jepet zgjidhja.