Çka ishte pluhuri që Policia e kishte gjetur në selinë e Vetëvendosjes para tri vjetësh?

27.01.2018 18:45:01

Përçarja që ka kapluar Lëvizjen Vetëvendosje tash e dy muaj, ka shpërfaqur disa probleme në këtë parti.

Duke filluar nga linçimet, ngacmimet seksuale, e deri te droga e orgjitë seksuale ishin temat që u debatuan ndërmjet aktivistëve nëpër rrjete sociale.

Për këto probleme në facebook i pari kishte shkruar, Fadil Robelli aktivist në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Linqim aaaaa!!!! Janė këta të Zyreve të cilêt për deri sa Albini e ne të tjerët pervilnim krahët duke u takuar me Qytetarët e duke dëgjuar hallet e tyre këta bënin sex në treshe dhe i qeponin barit nepër Zyre”, kishte shkruar në një status në Facebook  Fadil Robelli , aktivist i VV-së.

Por, për ndërlidhjet e Vetëvendosjes me përdorimin e substancave narkotike kanë qenë të vazhdueshme, shkruan lajmi.net.

Në aksionin e Policisë që kishte ndërmarrë më 28 nëntor për arrestimin e Albin Kurtit në selinë e Vetëvendosjes ishin gjetur disa mjete të dyshimta.

Në mesin e tyre, të paktën në komunikatën zyrtare të lëshuar nga Policia e Kosovës, thuhej se ishte sekuestruar edhe “pluhur i dyshimtë”.

Kjo komunikatë e VV-së kishte ardhur si reagim ndaj partisë së Albin Kurtit e cila kishte ngritur një kallëzim penal ndaj zyrtarëve policor për ndërhyrjen më 28 nëntor.

“Policia ka hasur dhe konfiskuar mjete të kundërligjshme të cilat janë konfiskuar si prova materiale, ka ekzaminuar vendin e ngjarjes si dhe ka ruajtur të gjeturat gjatë ekzaminimit me anë të incizimit me video. Në selinë e Vetëvendosjes u gjet:  2 – Copë maska gazi ushtarake 1 – Sprej (OC), të vogla 2 – Shufra metali, 2 – Vegla për destimin te hedhjes së sferave të qelqit (llastiqe), 4 – Qese me pluhur të dyshimtë, 2 – Qese me sfera qelqi (sfera), 1 – Gaz lotsjellës, 3 – Radio, Motorola”, thuhej aso kohe në raportin e Policisë.

Zyrtarë të ndryshëm të VV-së kohë pas kohe kanë pasur probleme të ndryshme me organet e ligjit për përdorimin e narkotikëve.

Lajmi.net në shtator të vitit të kaluar ka raportuar se si kandidati për asamble i VV-së në Ferizaj, Dritëro Hyseni ishte zënë me lëndë narkotike nga Policia e Kosovës.

Substanca e llojit marihuanë, Hysenit i ishte gjetur në veturën e tij.

Akuza për drogë ka pasur edhe djali i Salih Salit, ish-kandidatit të VV-së për kryetar të Vitisë, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës.

Bardhyl Salihu, e kishte pranuar se substanca narkotike e gjetur i takonte atij.

 

Akuzat dhe kundër-akuzat ndërmjet aktivistëve të VV-së për përdorim të drogës dhe orgji seksuale u përmendën dje në foltoren e Kuvendit edhe nga shefi i grupit të Nismës, Bilall Sherifi.

Ai iu drejtua Glauk Konjufcës me fjalët “ma shumë ta bën bari se rakia”, duke iu kundërpërgjigjur ndaj akuzave për ministrin, Dardan Gashi.