Abrashi: Shpejt fillon procesi i njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës

14.09.2016 18:39:58

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi ka thënë se së shpejti do të fillojë procesi i njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

“Së shpejti fillon procesi i njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës. Në dy takime të ndara, takova përfaqësuesit e UN Ëomen në Kosovë të udhëhequr nga znj. Flora Macula, si dhe znj. Chrystele Todd nga Iniciativa për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikte pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar”, ka shkruar Abrashi në një postim në Facebook.

Ai ka thënë se ministria që ai drejton është duke punuar për procedurat që do të formohet një komision për verifikimin e viktimave të dhunës.

 

 

“Në dy takimet trajtuam hapat e ndërmarrë deri më tani nga MPMS lidhur me procedurat për njohjen dhe verifikimin e statusit te viktimave të dhunës seksuale gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, si konkursi tashmë i shpallur për anëtarët e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale dhe themelimin e Zyrës Përkrahëse administrative që do të asistojë Komisionin Qeveritar. U pajtuam për nevojën që Kosova më në fund të largojë stigmën e padrejtë ndaj viktimave të dhunës seksuale të luftës dhe t’u ofrojë atyre drejtësinë e munguar, proces ky që fillon shumë shpejt”, ka shkruar Abrashi.