AGK reagon ndaj portalit ‘Kosova Sot’ për publikimin e fotografive të së miturës

09.02.2019 00:24:43

Asociacioni i Gazetarëve  të Kosovës ka përcjellur me vëmendje  raportimet e gazetarëve rreth rastit të dhunimit të dyfishtë të së miturës ne Drenas.

AGK shpreh shqetësim për publikimin e fotografisë së viktimës në ueb-in e gazetës “Kosova Sot”.

Kjo formë e raportimit është shkelje e të drejtave të njeriut, Kodit Etik dhe ligjit për mbrojtjen e të dhënave që zbulojnë identitetin e viktimës.

AGK kërkon nga kolegët gazetarë që, sidomos në raste  të ndjeshme si kjo por edhe gjatë raportimit për raste të tjera, t’u përmbahen kritereve profesionale dhe etikës së gazetarisë.

AGK mbështet vetëm punën profesionale  të gazetarëve bazuar në respektimin e standardeve bazë të profesionit dhe inkurajon e informimin korrekt dhe të drejtë të publikut.