AKK-ja thotë se nuk ka parregullsi rreth çmimeve për testim në laboratorët privat

28.08.2020 11:46:42

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës bëri të ditur se nga monitorimi i çmimeve dhe  shërbimeve të testimeve të laboratorëve private të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë pasur asnjë ankesë nga qytetarët.

Muhamet Krasniqi, anëtar i komisionit të AKK-së ka bërë të ditur se në Kosovë janë gjithsej 118 laboratorë të licencuara për testimet për SARS CoV-2 dhe se nuk kanë arritur të identifikojnë ndonjë laborator të cilët kanë ngritje të çmimeve.

“Pas vendimit të Bordit për licencim të institucioneve private shëndetësore për shërbimet e testimeve për Sars-Cov-2, Autoriteti i Kosovar i Konkurrencës është zotuar se do të jetë i pa kompromis në luftën për evitimin e devijimeve të sjelljeve korrekte në treg. Nga të dhënat e siguruara deri më tani janë gjithsejtë 118 laboratorë të licencuar për kryerjen e testimeve për virusin Sras-Cov-2 në Kosovë. Bazuar në informatat që i kemi mbledhur, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka arritur të identifikojë ndonjë sjellje e cila ngre dyshim për fiksimin e çmimeve të këtyre shërbimeve apo bashkërendim të aktivitetit mes operatorëve të cilët mund të bien ndesh me ligjet e konkurrencës. Pra, kemi të bëjmë me një treg që po funksionon mirë së paku deri tash. Po ashtu ka edhe një treg të liberalizuar”, tha Krasniqi.

Po ashtu në këtë konferencë Rizah Arifi kryesues i Grupit Punues për monitorimin e laboratorëve privatë tha se AKK nuk ka pranuar asnjë ankesë nga qytetarët për ndonjë parregullsi për laboratorët privat që kryejnë testime për koronavirus.

AKK-ja ka bërë të ditur se është duke e monitoruar tregun e laboratorëve qe nga dita e testimit të tyre dhe se do të vazhdojë ta bëjë deri në shfuqizimin e vendimit të MSH-së.