Aksident në Itali, familja shqiptare ndodhet në gjendje të rëndë

29.12.2018 19:29:01

Një aksident me pasojë plagosjen e tre personave të së njëjtës familje nga Shqipëria ka ndodhur në Itali. Mediat fqinje raportojnë se drejtuesi i mjetit dhe djali i tij 6 vjeç ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore në Itali, pas një aksidenti rrugor, ndërsa ka mbetur e plagosur gjithashtu nëna e fëmijës.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm rreth orës 09:05 minuta në rrugën “Prati” afër varrezave të Santorso-s, pas përplasjes së dy makinave.  Shërbimet e zjarrfikëses bënë të mundur nxjerrjen e 38 vjeçarit shqiptar dhe djalit të tij nga një automjet tip “Ford Fusion”.

Djali u transportua me helikopter për në spitalin e Veronas, ndërsa babai i tij si dhe nëna u dërguan në spitalin “San Bortolo di Vicenza”.

Drejtuesi i makinës tjetër tip Honda Fr-V, një 44 vjeçar po shqiptar banues në Piovene, nuk pësoi dëmtime të rënda. Policia rrugore shkoi në vendngjarje për të zbardhur dinamikën e aksidentit. Atyre ju deshën dy orë për të zhbllokuar aksin rrugor. Ndërkohë, ende nuk janë të qarta rrethanat e aksidentit me pasoja të rënda.4 of 4