Aksident në rrugën Kllokot-Viti, dy persona të vdekur dhe një i lënduar rëndë

31.10.2020 13:31:36

Dy persona kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër ka marr lëndime të rënda, në një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmë rreth mesnatës në në rrugën Kllokot-Viti.

Rastin e ka konfirmuar Ismet Hashani zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit.

“Nga hetimet e para dyshohet se deri te aksidenti të ketë ardhur atëherë kur një veturë në lëvizje në të cilën kanë qenë tre persona në rrugen Kllokot-Viti, humb kontrollin dhe përplaset jashtë rrugës. Me këtë rast lëndime vdekjepruese pëson drejtuesi i automjetit (1985), i cili ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Ndërsa dy pasagjerët dërgohen në Qendrën emergjente në Gjilan. Njëri nga pasagjerët (1988) edhe përkundër ndihmës së ofruar ndërron jetë si pasojë e lëndimeve të marra në aksident. Ndërsa pasagjeri i tretë (1981) dërgohet në QKUK-Prishtinë në gjendje të rëndë”, ka thënë  Hashani.

Sipas tij, lidhur me rastin është njoftuar Prokurori për Krime të Rënda dhe me urdhër të tij trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.