Akuzohen 5 persona për shitblerje tokash me mashtrim në Gjakovë, Deçan dhe Pejë

04.10.2016 16:56:02

Një prokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e ka parashtruar një aktakuzë kundër pesë të pandehurve që akuzohen për pjesëmarrje në një grup të krimit të organizuar, veprimtaria e të cilit ishte kryerja e shitblerjes së tokës me mashtrim.

Hetimet e kryera nga prokurori në fjalë kanë të bëjnë me një skemë të krimit të organizuar, qëllimi i të cilit ishte që, duke kryer shitblerje të tokës me mashtrim dhe legalizim të dispozitave kontraktuese false, t’i përfitojë, regjistrojë dhe bartë të drejtat e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme në dëm të serbëve të zhvendosur të Kosovës dhe pastaj në dëm të blerësve shqiptarë në komunat e Gjakovës, Pejës dhe Deçanit. Këto vepra pronësore janë kryer gjatë periudhës ndërmjet viteve 2000 dhe 2012. Shuma e përgjithshme e këtij mashtrimi vlerësohet të jetë 1.300.000 euro.

Këtë aktakuzë e ka parashtruar një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës pas hetimeve komplekse të kryera nga prokuroria e EULEX-it, Policia e Kosovës dhe Policia e EULEX-it.

Njoftimi nuk jep hollësi për identitetin e kryerësve të kësaj vepre.