Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka shkruar në llogarinë e saj në Facebook në lidhje me lëshimin e seancës nga deputetet e PDK-së si shenjë revolte ndaj gjuhës së përdorur nga ish-Avokati i Popullit, tash anëtar i VV-së, Sami Kurteshi në drejtim të ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha.
Haxhiu ndër të tjera ka thënë se nuk pajtohet me gjuhën e përdorur nga Sami Kurteshi, që sipas saj, ka rritur në duart e tij Astrit Deharin, por gjithashtu sulmi i kolegeve partiake të ministres Hoxha ishin për ta sulmuar Lëvizjen Vetëvendosje.
Ky është reagimi i plotë i Haxhiut:
Të martën në emisionin Rubikon të KTV-së, ishte e ftuar Ministrja e Drejtësisë, znj.Dhurata Hoxha.
Në këtë emision ndër të tjera u fol edhe për vdekjen e Astritit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Ministrja e Drejtësisë, në njërën anë, pa asnjë rezervë, mbronte klanin Pronto, e në anën tjetër, tha shumë të pavërteta në lidhje me atë se çfarë ka ndodhur me Astritin duke shtrembëruar edhe faktet.
Vdekja e dhunshme e Astritit, ka pikëlluar e zemëruar shumë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! e sidomos ish të burgosurin politik Sami Kurteshi, në duar të së cilit u rrit Astriti.
Shpifjet dhe trillimet e Ministres së Drejtësisë edhe në seancën e jashtëzakonshme ku u diskutua për Astritin, por edhe në emisionin Rubikon, ngjallën shumë reagime të aktivistëve dhe i tillë ishte edhe reagimi i anëtarit të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Sami Kurteshi.
Ne nuk pajtohemi me gjuhën e përdorur nga z.Sami Kurteshi.
Mirëpo, vajtimet nga koleget partiake të Ministres Hoxha, nuk janë për Ministren Hoxha, as për të drejtat e grave dhe barazinë gjinore, por për ta sulmuar Lëvizjen tonë e për ta mbajtur pushtetin e tyre.
Aktivistëve dhe aktivisteve të VETËVENDOSJES!, eksponentët më të lartë të regjimit, u kanë thënë “qurë”, “sorrë”, “gomar”, “milingonë” etj.., por këto gra të regjimit, jo vetëm që s’e ngritën kurrë zërin por edhe shkruheshin si dëshmitare në proceset politike kundër nesh.






































