Albulena Haxhiu përplaset me deputetin e LDK-së, lëshon mbledhjen e Komisionit

12.04.2017 16:15:55

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka lëshuar mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme ku po diskutohej për dialogun Kosovë-Serbi.

Kjo pasi që ajo është përplasur me deputetin e LDK-s, Muhamet Mustafa, rreth marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe.

Albulena Haxhiu, ka treguar për Telegrafin arsyet se pse ajo në mënyrë demonstrative ka lëshuar sot takimin e kryetarëve të Komisioneve Parlamentare, të thirrur nga Komisioni për Punë të Jashtme.

Ajo ka thënë se kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa është sjellur më të në mënyrë të vrazhdë për shkak të mospajtimeve që i kanë pasur rreth qëndrimeve politike.

“Ai fillimisht tha se nuk jemi këtu për t’i prezantuar qëndrimet e partive politike. Por, unë thash se ne nuk mund të shkëputemi nga kjo gjë, sepse aty jemi si përfaqësues të subjekteve politike. Më pas ai filloi ta ngre zërin, veçanërisht te çështja e ‘Zajednicës’”, ka bërë të ditur Haxhiu.

Sipas saj, Mustafa tha se nuk është e vërtetë që Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar ‘Zajednicën’, duke shtuar se “unë i tregova se kjo nuk është e vërtetë, sepse kjo Gjykatë e ka gjetur se në 23 pika të dokumentit të Asociacionit të Komunave, ka shkelje të Kushtetutës”.

“Më pas Mustafa më tha rri aty, mos fol, në mënyrë urdhërore. Dhe unë e ndjeva se është cenuar integriteti im si femër dhe si deputete, dhe e lëshova mbledhjen në mënyrë demonstrative”, ka theksuar Haxhiu.
Ndryshe, sot Komisioni për Punë të Jashtme, i ka ftuar të gjitha kryetarët e Komisioneve Parlamentare, për të diskutuar për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë. Prezentë ishin edhe përfaqësues të KDI-së që merren me monitorimin e punës së Kuvendit.

Përfaqësuesja e kësaj organizate i ka prezantuar rezultatet e sondazhit të organizuar me qytetarët e Kosovës, për punën e Kuvendit të Kosovës në procesin e dialogut Kosovë – Serbi.