Analistët: Kuvendi do të funksionojë me vështirësi

12.09.2017 14:20:12

Shumica parlamentare e legjislaturës së kaluar përbëhej nga më shumë se 80 deputetë, por shpeshherë seancat kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit.

Në këtë mandat kur koalicioni qeverisës ka vetëm 62 deputetë, sipas njohësve të zhvillimeve politike, funksionimi i Kuvendit do të jetë edhe më i vështirë.

Për dallim prej mandatit të kaluar, në këtë mandate, koalicioni qeverisës është në minimumin e votave në Kuvendin e Kosovës, me vetëm 62 deputetë. Kjo sipas Isuf Zejnajt nga Demokracia Plus, e bën të vështirë funksionimin e kuvendit. Ai thotë se me këtë numër të deputetëve është e vështirë të parashihet të ketë përshpejtim qoftë në aprovimin e ligjeve qoftë të cështjeve të tjera që lidhen me përmbushjen e programit qeveritar.

“Nëse nuk kemi bashkim të deputetëve të rinj, ose të grupeve parlamentare me këtë shumicë parlamentare, do të jetë shumë e vështirë vendimmarrja në Kuvendin e Kosovës”, tha Zejna për Radio Kosovën.

Dinamikë të re të Kuvendit nuk pret as analisti Blerim Burjani. Madje ai pret të ketë vështirësi në funksionimin e Kuvendit, ngase koalicionit qeverisës do t’i duhet në vazhdimësi që të ketë shumicën relative në Kuvend për t’i kaluar ligjet.

“Do të jetë e pamundshme që ky Kuvend të kalojë marrëveshjet ndërkombëtare dhe diskutimet e mëdha siç mund të jetë marrëveshja për demarkacionin e të tjera, sepse numri i deputetëve përkrahës është shumë i vogël dhe në anën tjetër është Lista Serbe e cila është e dirigjuar nga Beogradi”, tha Burjani për Radio Kosovën.

Përveç tjerash, Isuf Zejna nga Demokracia Plus që e përcjellë punën e Kuvendit, thotë se edhe në mandatin e kaluar është parë që ka shumë mungesë discipline nga ana e deputetëve, sa i përket pjesëmarrjes në séance, por ai thotë se shumë shpesh ata janë ndëshkuar nga votuesit.

“Nuk e kemi asnjë prej deputetëve të disiplinuar sa duhet dhe kjo ligjet me përgjegjësinë e tyre dhe përgjëshmërinë e tyre dhe sa ata e shohin të rëndësishëm mandatin e tyre si deputet”, tha Zejna.

Legjislatura e kaluar, është përballur shpesh me mungesë kuorumi, ndonëse shumica parlamentare përbëhej nga më shumë se 80 deputetë. Shpeshherë mungonin deputetët e koalicionit qeverisës, e madje në disa prej seancave të fundit para shpërndarjes së Kuvendit mungoi edhe vetë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i icli kishte nisur turin e tij dëgjimor nëpër Kosovë. Për këtë ishte kritikuar mjaft edhe nga deputetë, të cilët sot janë pjesë e koalicionit qeverisës.