Ancelotti ka 400 milionë për të ripërtërirë Bayern Munich

29.04.2017 12:46:31

Eliminimi nga Liga e Kampionëve që në çerekfinale, kundër Real Madridit, disfata e radhës në Kupën e Gjermanisë kundër Borussia Dortmund, kanë bërë që të shpërthejnë kritikat ndaj Carlo Ancelottit dhe skuadrës së tij. Flitet se Bayern Munich është në krizë të plotë, duke pasur parasysh se nuk fiton pesë ndeshje radhazi, diçka që për klubin bavarez nuk kishte ndodhur kurrë në 17 vitet e fundit. Ancelotti dhe të tijtë ruajnë ende një epërsi prej tetë pikësh nga Leipzig në kampionat dhe sot, në rast të fitores ndaj Wolfsburg dhe dështimit të ndjekësve më të afërt kundër Ingolstadt, atëherë Bayern Munich mund të fitojë titullin. Megjithatë, trajneri italian gjendet nën një shi kritikash të ashpra nga mediat dhe tifozët.

Kjo ka ngritur pikëpyetje mbi mundësitë që Ancelotti të mbetet apo jo në stolin e Bayern Munich sezonin e ardhshëm, edhe pse klubi e ka mbrojtur trajnerin italian dhe e ka konfirmuar në postin që mban. Fitorja e Bundesligës, megjithatë, është konsideruar si një diçka krejt normale për Bayern Munich, nga i cili është pritur fitorja në Ligën e Kampionëve, ose të paktën qasja në finale të këtij kompeticioni, jo zhdukja që në çerekfinale. Para Ancelottit ngrihet problem për t’u mbështetur në të rinjtë e talentuar, që ka në dispozicion, apo të vijojë me “gardën e vjetër”. Edhe në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë, kundër Borussia, në fakt, Bayern Munich ka dalë në fushë me të gjithë veteranët, nga Ribery (34 vjeç) te Robben (33), Lahm (33) Xabi Alonso (35), ndërsa 22-vjeçar Kimmich mbeti plot trishtim në stol.

Ai, 19-vjeçari Renato Sanches dhe Koman, 20-vjeçar, janë talente të mëdhenj, që përfaqësojnë të ardhmen e Bayern Munich, por duhen të përdoren edhe në të tashmen, sepse, sipas kritikëve, ekipi bavarez ka dhënë shenja të qarta të lodhjes. Verën e këtij viti, Bayern Munich në mënyrë të pashmangshme do të bëjë një rinovim të mirë të ekipit në aspektin e rekrutimit të elementëve të rinj, duke qenë se Lahm dhe Xabi Alonso do të dalin në pension në qershor. Sipas raporteve nga “Die Welt”, klubi bavarez do të japë 400 milionë euro, me të cilat Ancelotti do të operojë në merkato. Dybala, Griezmann, Mbappe dhe Verratti janë ëndrra e tifozëve bavarezë, siç është raportuar nga “Sport Bild”. Tani mbetet të shihet se si do të lëvizë Bayern Munich në merkaton e verës së këtij viti. /telesport.al/