Anëtarët e Komisionit për Siguri, të kënaqur me punën e Policisë së Kosovës

17.01.2017 12:06:08
Anëtarja e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri,nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu e ka përgëzuar institucionet të cilat sipas saj kanë treguar se shteti i Kosovës ka zot shtëpie, në rastin e ndaljes së trenit.
“Përgëzoj veprimet e institucioneve të Kosovës, konsideroj që shteti i Kosovës ka treguar se ka zot shtëpie. Duhet si institucione të jemi të vëmendshëm që mos të biem pre e provokimeve që siç e tha edhe ministri për qëllime elektorale”, ka thënë Musliu, raporton lajmi.net.

Ndërsa anëtari tjetër nga radhët e LDK-së, Anton Quni ka vlerësuar Policinë e Kosovës me notën 10.

“Për punën e policisë një vlerësim nga 1-10 unë jap vlerësimin 10. Ne jemi të lumtur që si shtet kemi treguar se jemi duke u konsoliduar dhe këtë u kemi treguar shtetit fqinj”, ka thënë Quni.

Rexhep Selimi i Vetëvendosjes, ka theksuar se opozita i mbështet operacionet policore që kanë të bëjnë me mbrojtjen e sovranitetit.

“Opozita kërkon dhe mbështet operacionet policore që kanë të bëjnë me mbrojtjen e sovranitetit të vendit dhe kërkojmë që të ketë aksione të tilla për çdo ditë, e jo vetëm si ai i të shtunës më 14 janar”.

Ndërsa, Zafir Berisha i NISMA-së, ka thënë se nga bisedimet me Serbinë janë bërë aq shumë lëshime që është rrezikuar sovraniteti i vendit.

“Në fjalimin e tij ministri e pranoi se  në atë pjesë ka veprim të strukturave paralele. Atje nuk është bërë asgjë përveç që është respektuar Kushtetuta në atë pjesë dhe që është hera e parë. Nga bisedimet me Serbinë kemi bërë aq shume lëshime sa që kemi rrezikuar sovranitetit e vendit”, është shprehur Berisha.