Arben Gashi: Klithni kolegë sa të doni, se me vota “Fejzbukiane” nuk qeveriset vendi

28.12.2020 13:22:19

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka replikuar në drejtim të deputetit të Vetëvendosjes, Liburn Aliu i cili tha se në projektbuxhetin 2021 ka sharra.

Gashi tha se paranoja e sharrave dhe thikave e shpatave po vazhdon dhe se kjo paranojë e sëmundje psiqike po i shkatërron.

“Ju kolegë me këto paranoja, është rrezik që të përfaqësoni këtë vend. Kur i drejtohemi vendit e Kuvendit duhet të jemi të sinqertë, sinqeriteti i juaj mungon, sepse bazoheni në pafytyrësi, pafytyrësia juaj është aq e thellë sa që çdo lëvizje e përfaqësoni në interesin se ku ka një votë Facebook-iane, Kosova nuk qeveriset me këso vota, por me ruajtje të interesit shtetëror, me mbajtje të buxhetit e garantimit të institucioneve. E di. E di që klithni e di që bërtisni, por klithma juaj është shumë e vogël se sa argumenti, se sa dëshira për të mbrojtur këtë vend. Pra klithni kolegë, bërtisni sa të doni edhe se ne jemi këtu për të mbrojtur interesin e këtij vendi”, tha ai,

Tutje Gashi shtoi se s’do t’i nënshtrohen asnjë klithme, britme, paranoje apo sharre.

“Dhe asnjë lloj shpate të vendosur që po bëhet sipas paranojave të liderit të juaj.Jemi këtu për përfaqësimin e qytetarëve, shtetit dhe Republikës. Më vie mirë që keni vullnet me klithë, por klithma juaja është klithmë dështimi sepse ky vend nuk do ti nënshtrohet asnjëherë, asnjëherë të vetme këtij mentaliteti bolshevikë, mentaliteti bolshevikë i përfaqësuar këtu do të marrë fund.Ju ftoj të shohim interesin e vendit, është që institucionet bazikë të funksionojnë, e që pas datës 28 shkurt, mësuesit, policët e ushtarët të kenë paga”, tha ai